E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Angli, si në Itali? Fergi, i inatosur me Xherrard

Premier League Trajneri i Junajtid nuk e ka përtypur gabimin e mesfushorit të Liverpulit

Sër Aleks Ferguson është i zemëruar. E ka me Stiven Xherrard për “dhuratën” që i bëri çelsit (një kthim vrasës të topit prapa, i shfrytëzuar më së miri nga Drogba), e cila i dha fitoren ndaj Liverpulit, duke lejuar “Blues” të vënë duart te titulli. Skocezi nuk ngre dyshime. Por atë gabim të kapitenit të “Reds”-ave nuk e ka përtypur, sikurse nuk e përtyp dot që Mançesteri duhet të ndalet në kuotën 18 titujve, aq sa dhe Liverpuli. “Kam parë një gabim të Xherrardit pas ndeshjes, shkruante ‘The Sun’, dhe sigurisht ishte një dhuratë e madhe. Por nuk mund të bëjmë asgjë, veçse të ecim përpara”. Dhe të shkosh përpara në këtë rast do të thotë të fitosh takimin e ardhshëm ndaj Stoke në shtëpi dhe të shpresosh që çelsi të mos e mundë Uigan në “Stamford Bridge”. “Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, sepse futbolli është i çmendur, por për momentin thjesht presim”. Si të thuash, mrekullitë (Mançester Siti e mund çelsin dhe u jep, pa dashur, një dorë “Red Devils”-ave) kanë mbaruar, tani nuk mbetet veçse të luten. “Ajo që ne duhet të bëjmë, është të fitojmë ndeshjen tonë, ka thënë Ferguson, dhe nuk dua të shtoj asgjë për Uiganin, sepse janë një skuadër e madhe dhe e dinë atë që duhet të bëjnë”. Fergi e di se tani gjërat nuk janë në favor të Junajtid. Ndërsa Ançeloti është optimist: “Kemi luajtur shumë mirë, duke e merituar fitoren”. Më pas shton se “kjo ishte ndeshje kyçe për titullin”. Me fjalë të tjera, mund të mendohet që tani për festën. Ndërsa Drogba e pranon “gabimin e madh te Xherrard”, por edhe se ishte me fat që u gjend aty në momentin e duhur, Frenk Lampard (autori i golit të 0-2) mendon për fitimin e dy trofeve (FA Cup dhe Premier). “Duhet të nderojmë Liverpulin për profesionalizmin, tha ai, sepse vinin nga një javë e vështirë, pas eliminimit nga Europa”. Dhe për të riprovuar sportivitetin e “Reds”-ave, mjafton të shikosh duartrokitjet e Kopit për fituesit në fund të ndeshjes. Duartrokitje të merituara për atë që “Blues”-at dhanë në fushë. Nga këto anë, fjala “kombinim” në fjalor nuk është dhe vështirë se do të jetë. Dhe jo vetëm sepse flitet për një term francez.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›