E Martë, 3 Nëntor 2026

Lagje e re teknologjike në Korçë, synohet kthimi në qendrën më të madhe teknologjike në rajon

Korça do të ketë të parën lagje teknologjike në Shqipëri. Lajmin e bëri të ditur vetë kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo.

Sipas tij në këtë lagje do të jetojnë të rinj të cilët do të jenë të punësuar në fushën e teknologjisë për kompani vendase e të huaja.

“Është projekti i radhës. Do të ofrojë  për të rinjtë e Korçës, por edhe për ata të rinjtë që punojnë në Tiranë të kthehen në Korçë, mundësi punësimi dhe banimi. Po ashtu edhe hapësira për të organizuar hapësira argëtimi dhe bazuar me këtë duam të krijojmë komunitetin e parë në Shqipëri, të të rinjve dhe të rejave që i bashkon teknologjia”, tha Filo.

Banesat në mes të hapësirave publike estetike dhe funksionale do të ofrohen me skema lehtësuese si mundësi e shtuar për të rinjtë e angazhuar në fushën e teknologjisë me qëllim uljen e kostos së tyre të jetesës.

Projekti “Lagjia e re e teknologjisë” do të shërbejë për krijimin e lehtësive për banim për të rinjtë e angazhuar në fushën e teknologjive të informacionit dhe është pjesë e programit ambicioz të bashkisë për ta kthyer Korçën në qendrën më të madhe teknologjike në rajon.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›