PE, Kukan: Duhet një ndërhyrje me rezultat
“Pamundësia për të kapërcyer krizën për një vit e gjysmë tregon një dobësi, dhe nuk duket gjithashtu se këto probleme do të zgjidhen së shpejti”
Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën juglindore, Eduard Kukan, deklaron se duhet gjendur një formë ndërhyrjeje që të japë rezultat për situatën në Shqipëri. “Sigurisht që ne do të ndihmojmë, por tani është e nevojshme të gjejmë formën se si duhet ta bëjmë këtë. Deri tani kemi bërë shumë tentativa, por pa rezultat. Dhe kjo ndihmë duhet të jetë për mendimin tim e koordinuar midis PE, Komisionit dhe institucioneve të tjera evropiane që të mund tu mbushim mendjen politikanëve shqiptarë, që është në të mirën e tyre, të qytetarëve dhe të vendit që ata të ndalin dhunën dhe të fillojnë, më në fund, një dialog politik të civilizuar mes tyre”, u shpreh Eduard Kukan në prononcimin për “Alsat”. Ai tha se ajo çka ndodhi në 28 qershor e ka çuditur, në kuptimin sepse ishte diçka shumë e keqe, shumë e thellë dhe shumë serioze. “Jam mjaft i shqetësuar për këtë situatë. Shqipëria pas raportit të vitit të kaluar fitoi liberalizimin e vizave, por nuk u bë vend kandidat i BE-së dhe unë thashë se vendi do të vazhdojë të punojë që ta fitojë statusin e vendit kandidat. Por kjo protestë, dhuna, humbja e jetës së njerëzve japin një imazh shumë të keq për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit”, u shpreh Kukan. Kjo ka qenë shumë zhgënjyese për mua, shtoi ai, sepse nuk e mendoja se gjërat do të merrnin këtë formë tragjike. “Demonstrata para kësaj ishte grevë urie, kjo e fundit solli tre të vrarë. Çfarë do të këtë herën tjetër? Kështu që është shumë e rëndësishme për mua që të reagojnë të gjithë me përgjegjshmëri”, tha Kukan, Kryetar i Delegacionit të PE për Europën Juglindore.
PPE: Rama të luftojë
në parlament, jo në rrugë
PPE thotë se planifikimi e zhvillimi i demonstratës së të premtes, si dhe dhuna e ushtruar nga protestuesit dhe policia, duhet të hetohen nga një komision hetimor parlamentar
Pasi demonstrata e të premtes së kaluar u kthye në një demonstratë të dhunshme, që rezultoi me disa të vdekur, Elmar Brok, Kryetar për Politikën e Jashtme në Grupin e Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian i bën thirrje, Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, t’i japin fund luftës politike në rrugë dhe ta rikthejnë atë në Parlament. Përmes një konference për shtyp përpara demonstratës që organizoi kreu i Partisë Socialiste Edi Rama tha se nuk do të kontrollonte turmën, duke hequr nga vetja çdo përgjegjësi për dhunën. Njoftimi i shpërndarë nga Kuvendi i Shqipërisë konstatonte se “ngjarja vjen si pasojë e refuzimit nga ana e kreut të PS-së të rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, megjithëse OSBE i konsideroi këto zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Rama duhet t’i japë fund rolit të tij destruktiv, të cilin e shfaqi me thirrjet e tij për demonstratë të premten e kaluar, në vend që të kërkojë marrjen e qeverisë, çka përbën edhe një përgjegjësi për të, si lider i zgjedhur i opozitës në një sistem parlamentar”, mësohet të jetë shprehur Brok, siç e citon njoftimi i shpërndarë nga Kuvendi i Shqipërisë. Partitë Popullore Europiane konstatojnë se planifikimi dhe zhvillimi i demonstratës së të premtes, si dhe dhuna e ushtruar nga protestuesit dhe policia, duhet të hetohen nga një komision hetimor parlamentar nën përgjegjësinë e lidershipit të të dy partive, në vend që të lejohet përkeqësimi i situatës dhe dalja e saj jashtë kontrollit.