Lajçak-Berishës: BE mbështet integrimin e Shqipërisë

BashkimiEuropian është tërësisht i vendosur të vijojë të mbështesë dhe të ndihmojë Shqipërinë ëe të gjitha përpjekjet për realizimin me sukses të të gjitha reformave të lidhura me procesin e integrimit. Kështu është shprehur Zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm e Sllovakisë Miroslav Lajçak gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha në Dubrovnik, gjatë punimeve të Samitit të kryetarëve të qeverive dhe personaliteteve në fushën e vendimmarrjes dhe opinionbërjes me temë "Shtet-ndërtimi dhe eksperienca europiane".
Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Shqipëri e në veçanti ecuria e reformave për përmbushjen e 12 rekomandimeve të komisionit me qëllim ecjen përpara në procesin e integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha e njohu Lajçak me ecurinë pozitive të reformës elektorale, nismën jashtëzakonisht të rëndësishme të mazhorancës për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve dhe me arritjet e rëndësishme në përmbushjen e një pjese të rëndësishme të rekomandimeve si edhe punën intensive e gjithëpërfshirëse për përmbushjen sa më parë të këtij procesi shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.
Ndërsa Lajcak vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve dhe e siguroi kryeministrin Berisha për gadishmërinë e Sllovakisë të mbështesë e të ndihmojë Shqipërine në këtë përpjekje madhore në çdo kohë. Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në rajon.