E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gratë do ta çojnë Shqipërinë aty ku duhet

Korçë- Kryetari i Partisë Socialiste, nga Korça, ftoi gratë dhe vajzat e të gjithë Shqipërisë që të bëhen pjesë e Forumit të Gruas Socialiste.

Si një nismë e një grupi deputetesh socialiste, qëllimi i këtij rrugëtimi, i cili ka nisur më herët në qytetin e Durrësit dhe të Shkodrës, ka të bëjë me angazhimin e PS-së që gratë dhe vajzat të zënë vendin që u takon në familjen e madhe politike e socialiste.

Janë shumë çështje të hapura, që kërkojnë një forcë me vështrim të gjerë dhe me mendje të hapur. Partia Socialiste është një forcë e tillë, por duke pasur edhe më shumë gra e vajza në përbërjen e saj, PS do të jetë edhe më shumë një forcë me mendje të hapur dhe me një këndvështrim shumë më të gjerë mbi shoqërinë dhe mbi të ardhmen e saj. Unë besoj me gjithë zemër që Shqipëria është këtu ku është,  jo atje ku duhet të ishte, për faj të burrave. Mund të shkojë atje ku duhet të shkojë për meritë të grave. Dhe nëse ka një rol që burrat duhet të luajnë në këtë fazë historike për zhvillimin e vendit është që tu hapin rrugë sa më shumë grave dhe vajzave që të përfshihen në jetën shoqërore, publike dhe politike.- u shpreh Rama.

Në Korçë, Rama kërkoi kontributin e grave për një angazhim gjithëpërfshirës për realizimin e programit Për një Rilindje Shqiptare. Problemet që hasin gratë dhe vajzat në Shqipëri, varfëria, papunësia apo trafikimi, mund të adresohen vetëm me kontributine tyre në vendimmarrje. Të pranishme në këtë takim ishin dhe deputetet socialiste Olta Xhaçka dhe Eglantina Gjermeni.

/IDEA/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›