E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajcak: Statusi kandidat varet nga Shqipëria

TIRANE- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Sigurinë Globale “Globsec 2012”, i cili i zhvilloi punimet në Bratislavë të Sllovakisë.
Gjatë qëndrimit në Bratislavë, Ministri Haxhinasto u prit në një takim të veçantë, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i porsaemëruar i Sllovakisë, Miroslav Lajcak.

Sic bën të ditur në njoftim për shtyp Ministria e Punëve të Jashtme, z. Lajcak u shreh se 'vërtet në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime pozitive, për të çuar në një lajm pozitiv drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, por çdo gjë varet nga Shqipëria'.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet në Shqipëri me theks të veçantë procesi i integrimit në BE, zhvillimet rajonale, si dhe aspekte të bashkëpunimit dypalësh.

Nga ana e tij, Ministri Haxhinasto theksoi progresin e bërë në Shqipëri në drejtim të reformave, si dhe të situatës politike, duke nënvizuar se këto zhvillime pozitive duhet të kenë vlerësimin e Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së, për dhënien e statusit të vendit kandidat. Kjo jo vetëm që do të jetë e merituar për shqiptarët, por do të fuqizojë më tej edhe rolin dhe inkurajimin për reforma të reja në Shqipëri.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon dhe Kosovë. Lidhur me zhvillimet në veri të Mitrovicës, në takim u nënvizua se është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të flasë me një gjuhë dhe të japë mesazhe të përbashkëta dhe të qarta.

Gjatë punimeve të kësaj konference z. Haxhinasto pati takime dypalëshe me homologë dhe pjesëmarrës të këtij aktiviteti të rëndësishem vjetor, ku diskutohen çështje të sigurisë globale, si dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, integrimi i vendeve të këtij rajoni në NATO, integrimi i tyre në BE, etj.

Në fjalën e tij z. Haxhinasto theksoi se “rajoni i Ballkanit Perëndimor është duke përjetuar tashmë një realitet të ri. Ai është një komunitet demokracish i cili nuk konsumon më histori, si më parë, por kontribuon nëpërmjet angazhimeve në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Të gjithë vendet e rajonit janë përfshirë në një proces integrimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe në funksion të këtij procesi ato kanë adoptuar një sërë reformash të brendshme. Rajoni ka një perspektivë të sigurt zhvillimi, duke qenë se po përvijohet gjithnjë e më tepër si një entitet i integruar ekonomik. Në funksion të kësaj perspektive zhvillimi, vendet e rajonit duhet të adoptojnë modelet evropiane të fqinjësisë së mirë”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›