E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajçkak: Integrimi të jetë prioritet i klasës politike

Ky është apeli që Miroslav Lajçkak, drejtori menaxhues për Ballkanin dhe politikën e fqinjësisë së BE-së, u drejton forcave politike shqiptare dhjetë ditë para publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian mbi integrimin evropian të vendit.

Sipas Lajçak, agjenda evropiane dhe amendimi i kodit elektoral janë dy çështje që kërkojnë një mbështetje solide dhe konkrete nga klasa politike.

“Shpresoj, që vendi do të mund të tregojë potencialin që ka treguar në të shkuarën për të rikuperuar kohën e humbur dhe për t’u përqendruar në dy çështje që janë theksuar në raport-progresin e vitit të kaluar dhe do të nënvizohen gjithashtu në këtë progres-raport.

Së pari, është zbatimi i axhendës europiane në mënyrë gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike në vend, duke e bërë këtë agjendë të dominojë mbi jetën politike.

Së dyti, të fillohet sa më shpejt amendimi i kodit elektoral sipas rekomandimeve të ODHIR-it, në mënyrë që të evitojmë situata si në zgjedhjet parlamentare apo lokale”, pohon ai. Kurse pyetjes se pas kthimit në parlament, nëse opozita do të votonte ligjet me 3/5 sipas detyrimet kushtetuese, do të ishte tepër e bukur për të qenë e vërtetë, Lajçak i përgjigjet: “Vendi për debatin midis partive politike është Parlamenti dhe të gjitha forcat duhet të ndiejnë se ata kanë një mundësi për të shprehur këndvështrimin e tyre, që ata nuk po injorohen apo neglizhohen.

Kthimi i opozitës në parlament është përfundimisht një sinjal i mirë dhe shpresoj që të vazhdojë të jetë pozitiv dhe që të dëgjojmë lajme të mira nga Shqipëria”. Sipas Lajçak, analiza e këtij viti për Shqipërinë mbyllet me nota më pozitive në fund, sesa në fillim./Abc/Start/

                                                                                             2011-10-03 08:31
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›