E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman

Pas prezantimit dhe betimit të anëtarëve të rinj, u propozuan kandidaturat për organet drejtuese të KP, si kryetarin, kryesinë dhe komisionet e përhershme. Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm u rizgjodh me shumicë votash z. Ylli Gurra, myfti i rrethit Librazhd.

Mbledhja ka vazhduar me rendin e ditës, duke miratuar raportet 6-mujore të Kryesisë së KP-së dhe Kryesisë së KMSH-së. Pika kryesore e miratuar në këtë mbledhje ka qenë miratimi i vendimit historik, që xhamia e re e Tiranës, të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, si vendi më i përshtatshëm dhe që do të plotësonte më së miri kërkesat e besimtarëve të kryeqytetit.

Me këtë vendim Forumi më i lartë i myslimanëve ka përkrahur e mbështetur vendimin e KMSH-së për ndjekjen me hapa të shpejtë të të gjitha procedurave për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, si një kompleks multifunksional dhe në përshtatje me dinamikën e kohës. Këshilli i Përgjithshëm ka vendosur po ashtu që hapat ligjorë për ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë të ndiqen nga komisioni i ngarkuar për këtë çështje nga Kryesia e KMSH-së në bashkëpunim me strukturat përkatëse.

Më pas Këshilli i Përgjithshëm ka analizuar edhe zhvillimet që përcjellin ndjeshmëri të lartë tek besimtarët, qytetarët myslimanë dhe shoqëria shqiptare (si ajo e censusit), në përmbushje të detyrimit të qytetarit të lirë në një vend demokratik dhe me aspirata të larta.

Lidhur me këtë çështje KP ka deklaruar se: “Me dt. 1 Tetor 2011 ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë, i cili para disa kohësh ka marrë edhe formë të prerë ligjore. Duke qenë se të gjithë qytetarët e kanë detyrim plotësimin e pyetësorit të këtij censusi, me gjithë rezervat dhe skepticizmin për realizimin në mënyrë korrekte të tij, Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së inkurajon mbarë opinionin publik shqiptar në përgjithësi dhe qytetarët myslimanë shqiptarë në veçanti, të ushtrojnë detyrën e tyre qytetare dhe ligjore. Çdo qytetar shqiptar duhet ta ndjejë veten të lirë në shprehjen e përkatësisë së tij etnike dhe fetare. Myslimanët shqiptarë e ndjejnë veten krenarë për përkatësinë e tyre etnike dhe fetare, prandaj të mos ngurojnë në asnjë mënyrë ta shprehin identitetin e tyre fetar dhe kombëtar.” Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të tregojë gjithmonë ndjeshmëri të lartë ndaj çdo zhvillimi në interes të vendit dhe shoqërisë shqiptare./Start/

                                                                                             2011-10-02 16:24
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›