E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajmet e mira te vitit qe do leme pas

Mes katastrofave ambientale dhe atyre politiko-ekonomike, lajmet e mira nga bota kanë qenë të pakta dhe janë harruar shumë shpejt. Gjithsesi disa prej tyre do të kujtohen gjatë: shpëtimi i minatorëve kilianë, lirimi i Aung San Suu Kyi apo kura për parandalimin e AIDS...

Duhet pranuar që për t’i gjetur nuk ka qenë aspak e lehtë. Mes katastrofave ambientale dhe atyre politiko-ekonomike, lajmet e mira nga bota kanë qenë të pakta dhe janë harruar shumë shpejt. (Sigurisht lajmin e minatorëve do ta kujtojnë të gjithë.) Gjithsesi ato ekzistojnë dhe ja ku kemi renditur disa prej tyre.

Minatorët kilianë

Kjo është historia e këtij viti: është e pamundur që të mos keni dëgjuar të flitet për 33 minatorët kilianë të paktën një herë. Të mbetur në fund të nëntokës që prej datës 5 gusht, u zbuluan se ishin gjallë vetëm dy javë më vonë dhe në fund dolën të gjithë pas dy muajsh me përpjekjet e mëdha të qeverisë kiliane që nuk mori parasysh shpenzimet e mëdha për hartimin e planeve të njëpasnjëshme për shpëtimin e tyre. Kjo i bëri shumë mirë qeverisë së Pineras për të gëzuar më shumë popullaritet.

Lirimi i Aung San Suu Kyi

Birmania, ose siç e quan junta ushtarake Republika e Myanmarit, vazhdon të mbetet një diktaturë dhe këtë e konfirmojnë edhe zgjedhjet e fundit. Por lajmi për lirimin e aktivistes dhe fitueses së çmimit “Nobel” për paqen pas 15 vjetëve arrest shtëpie, u prit me vëmendje të madhe dhe shumë gëzim nga e gjithë bota. Suu Kyi deklaroi se është gati për të dialoguar me regjimin dhe tani i duhet të kujdeset për të rindërtuar opozitën e shkatërruar, që në vitet e burgosjes së saj ka humbur forcën dhe fuqinë për të vepruar.

Kura për parandalimin e AIDS

Quhet Truvada dhe duket se marrja e tij në mënyrë periodike mund të reduktojë ndjeshëm mundësinë për t’u infektuar nga virusi HIV në subjektet që rrezikojnë shumë. Për fat të keq, është shumë i kushtueshëm dhe historia e luftës ndaj AIDS është mbushur me shpresa që janë venitur mjaft shpejt, por sipas shkencëtarëve, Truvada, që tani do të përballet me teste të reja, mund të mos i ulë pritshmëritë. Kura u zbulua nga Anthony S. Fauci dhe nga grupi i tij i kërkimit në “National Institutes of Health”, ndërsa u financua nga fondacioni bamirës i Melinda dhe Bill Gates. I njëjti fondacion ka financuar një ilaç tjetër të fuqishëm për të luftuar meningjitin në Afrikë.

Reforma shëndetësore e Obamës

Prej disa muajsh, 32 milionë amerikanë më shumë janë përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore dhe vetëm kjo shifër mjafton për të legjitimuar këtë lajm si një ndër më të mirët e vitit. Gjithsesi dukej pak absurde që një prej vendeve më demokratike në botë nuk ishte në gjendje t’i garantonte kura mjekësore një pjese të mirë të popullsisë.

Vrima e ozonit

Sigurisht që nuk ndodhi nga një ditë te tjetra, por këtë vit shkencëtarët na treguan progresin e madh: që vrima e ozonit po mbyllet. Rreth 25 vjet nga zbulimi i saj, 15-30 kilometra sipër kokave tona, gjërat kanë nisur të përmirësohen: ndalimi i gazrave përgjegjës për shkatërrimin e ozonit ndihmoi në zvogëlimin e përmasave të vrimës së ozonit. Ky proces shihet si një model për t’u aplikuar, për të përballuar problemin kërcënues të ngrohjes globale.

Uria në botë

Eliminimi i urisë në botë është një proces shumë i ngadaltë, por që po nis të shfaqë shenjat e para pozitive. Këtë vit FAO për herë të falë foli për zvogëlim të numrit të personave që vuajnë nga uria në botë: 98 milionë persona më pak për vitin 2010. Sigurisht që numri i atyre që vuajnë nga mungesa e ushqimit mbetet sërish i lartë, por zhvillimet e vitit të fundit japin shpresa të mira për të ardhmen.

Arrestimi i bosëve meksikanë

Situata e luftës ndaj drogës në Meksikë nuk është ndër më të mirat, përkundrazi një javë më parë vlerësimi i numrit të viktimave nga viti 2006 deri më sot, periudhë që vendi qeveriset nga Presidenti Felipe Calderon, tregoi se kjo shifër ka shkuar në 30 mijë. Në krahasim me tre vitet e fundit, ky është i pari kryetar shteti që ka luftuar kaq fort për arrestimin dhe vrasjen e narkotrafikantëve të rrezikshëm. Forcat e sigurisë meksikane vranë këtë vit liderin e kartelit të gjirit, Tony Tormenta, arrestuan liderin e kartelit të narkotrafikantëve të Ciudad Juarez, ndaluan dy bosë të tjerë. Vranë me dhjetëra trafikantë droge dhe sekuestruan qindra tonelatë marijuanë. Lufta duket ende shumë larg nga fundi, por të paktën ka përfunduar së shënuari viktima vetëm nga njëra anë.

“Oskar” për “The Hurt Locker”

Sigurisht që të fusësh mes lajmeve të mira të vitit një çmim të dhënë në një sallë aktorësh, regjisorësh dhe producentësh thuajse miliarderë të veshur me kostum e kollare mund të stonojë paksa. Por, duke marrë parasysh tendencën e Akademisë për të votuar filma me tema klasikë, fitorja e “The Hurt Locker” (një film shumë i bukur mbi luftën në Irak) që la pas “Avatarin” e famshëm është me siguri një lajm i mirë. Për më tepër ishte “Oskari” i parë që fitohej nga një regjisore femër.

Katër miliardë celularë

Sot në botë janë katër miliardë persona që posedojnë një celular. Dikush mund të jetë skeptik për përdorimin e tyre, por në Afrikë ata janë të domosdoshëm për të komunikuar në zonat e largëta dhe në vendet jo demokratike ndihmojnë lëvizjet për të drejtat njerëzore, përhapin informacion dhe dije, mbështesin tregtinë dhe ekonominë. Vetëm në Haiti, pas tërmetit të janarit, projekti ‘Mobile giving’ grumbulloi miliona dollarë dhe celularët shërbyen për organizatat joqeveritare për të vëzhguar mbi krizën në vend. Një tjetër program i tillë quhet ‘Ushahidi’ dhe ka ndryshuar krejtësisht administrimin e emergjencave në zonat e prekura nga kriza.

Martesa e homoseksualëve në Argjentinë

Pas 14 orëve debat në senat me 33 vota pro dhe 27 kundër, Argjentina u bë shteti i parë i Amerikës Latine që aprovoi ligjin për të njohur martesat mes personave të të njëjtit seks, që për më tepër mund të adoptojnë edhe fëmijë. Mijëra njerëz ndoqën në mënyrë të drejtpërdrejtë debatin jashtë senatit dhe në sheshet e shumë qyteteve argjentinase. Pak muaj përpara se të votohej po në Argjentinë, martesat gej ishin ratifikuar edhe në Portugali dhe Islandë. Tani vendet ku homoseksualët mund të lidhin kurorë janë gjithsej dhjetë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›