K T PYES
Njerëzia janë mësuar që në faqet e mesit të gazetave të gjejnë përgjigjet e pyetjeve që u mbijnë në kokë, të lexojnë analiza e shkrime që shpjegojnë gjithë hallet e problemet e botës. Mirëpo mua gjithnjë e më shpesh po më mbushet koka me pyetje që, ose e kanë përgjigjen brënda, ose unë nuk di t’u jap dum. Në këtë fundviti m’u mblodhën e m’u bënë aq shumë, sa po jua lëshoj juve në kurriz një pjesë syresh.
- Mao Ce Duni dikur, shpiku parimin “fshati të rrethojë qytetin”, duke nuhatur se kjo ishte më e sigurta udhë për të mbajtur nën kontroll edhe fshatin, edhe qytetin. A është edhe Kryeministri i sotëm i shqiptarëve, simbol i fitores përfundimtare të fshatit mbi qytetin, apo është thjesht një prej fitoreve të njëpasnjëshme të tij?
- Duke qenë se Kryeministri ynë i sotëm është vullneti i shumicës (pavarësisht cilësisë së saj), çfarë mund të bëjë pakica (pavarësisht cilësisë së saj)?
- S’ka ditë të mos shohim para syve tanë copëza të universit shqiptar të rrënohen. Bien institucionet, deformohen ligjet, shkatërrohet territori, degradon mjedisi. Në këto kushte, personaliteti i Kryeministrit të sotëm është me karakter destruktiv apo utilitar? Apo utilitar përmes destruktivitetit? Pra, nëse ai mendon se duke destruktuar fiton vota, atëhere ose ai është i çmendur që ka një ide të tillë, ose jemi çmëndur ne që i shtojmë votat atij.
- Nëse ajo që mendon 51% e popullsisë është një detyrim për pjesën tjetër edhe nëse është e gabuar, çfarë mund të bëjmë atëhere?
- A mund dhe duhet t’i nënshtrohet çdo vendimmarrje votës? Pse për të vendosur kurën e të sëmurëve pyesim mjekun, ndërsa për të vendosur kurën e shoqërisë shkojmë të votojmë?
- Nëse 51% e popullsisë do të vendosë që Piramida duhet të shembet, a është e drejtë që ajo të shembet?
- Po nëse 51% e francezëve do të votonte për të prishur kullën “Eifel”, a do ta prishin atë? Dhe një vit pasi ta prishnin, nëse një tjetër referendum do të jepte rezultatin e kundërt, ç’do të bënin? Do ta rindërtonin?
- Qeveritë janë administratore të pasurisë së një vëndi apo pronare të tyre? Nëse janë vetëm administratore, atëhere pse qeveria që kemi po e shet dhe shpërdoron këtë pasuri deri në themel? Nëse këtë po e bën për ta vjedhur, atëhere pse e lemë të na vjedhë?
- Për të marrë patentën, pra për të drejtuar një copë makinë, duhet të bësh një kurs, të bësh disa analiza mjekësore dhe të paraqitësh diplomën e shkollës 8-vjeçare. Për t’u bërë deputet, ministër a qeveritar, nuk duhet asnjë nga këto.
- Për të patur të drejtën të ushtrosh një çfarëdolloj zanati, duhet të bësh shkollë e të kesh një varg aftësish të tjera. Për të patur të drejtën për të gjykuar mbi të ardhmen tënde dhe të të tjerëve, mjafton të të kenë lindur 18 vjet para ditës së votimit. A nuk është ca si anormale kjo?
- Demokracinë, balancimin e pushteteve, sistemin e votës, i shpikën ca anglezë të ngeshëm dhe i kolauduan për gati 800 vjet për të ardhur deri në ditët e sotme. E ç’lidhje ka sistemi i krijuar prej tyre, me tufën e horrave pushtetmbajtës ballkanikë që pretendojnë të kenë të njëjtin sistem?
- Demokracia është mjet apo qëllim? Nëse është mjet që shërben për arritjen e një qëllimi më të lartë, që është mirëqenia dhe lumturia, atëhere a është mjeti i vetëm për t’i arritur këto qëllime? Edhe diktatura e proletariatit ishte një sistem vlerash që pretendonte se shërbente për të arritur lumturinë, por doli i gabuar. Përgjithësisht sa herë që në botë është pretenduar të jetë zbuluar ideologjia që çon drejt lumturisë, ajo ose ka dalë e gabuar ose ka degraduar në diktaturë. Po sistemi demokratik a mos vallë mbart të njëjtin rrezik?
- Kush është më e rëndësishme, liria apo mirëqenia? Konica thosh se edhe të egjrit e Afrikës janë të lirë e rrojnë në pemë, por kjo nuk i bënte të rronin mirë.
- Nëse do të organizoheshin zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipërinë e vitit 1914, Haxhi Qamili që këndonte “dum Babën” dhe Musa Qazimi që e quante flamurin shqiptar “bajraku me sorrë”, do t’i fitonin ato me siguri. Por a do të sillte kjo vendosjen e demokracisë në Shqipëri? Do më thoni se ky ishte niveli i prapambetur i shoqërisë shqiptare të kohës dhe se kur të maturohej ky nivel, gjërat do shkonin ndryshe. Po kush është ai që e mat këtë nivel dhe që ka aftësinë të thojë se kur arrihet ky maturim? Nëse e dini ku rri me shtëpi ky personi, a mund ta pyesni edhe nëse ka ardhur dita e maturimit?
- A kanë ndonjë interes politikxhinjtë e këtij vendi, që ky nivel maturimi demokratik të arrihet ndonjëherë, kur është e sigurtë që ajo do të jetë edhe dita e fundit e sundimit të tyre?
- A mund të importohet demokracia? Nëse mund të importohet, atëhere pse të importojmë demokracinë dhe jo ndonjë sistem tjetër që mund të na vijë më mirë pas kokës që kemi. Nëse nuk importohet por duhet të lindë vetiu në gji të popullit, pse nuk ka lerë deri më sot?
- A e meritojnë shqiptarët Shqipërinë? Sot ishujt e Ksamilit po shkatërrohen me themel, janë gërryer me fadroma e po u zhduket flora e fauna shumë e veçantë që kishin. E njëjta gjë po ndodh edhe me Ishullin e Sazanit, që po e djegin me napalm. Njësoj edhe me Liqenin e Shkodrës, që po ia zhdukin peshkun me rrjeta, me grepa, me dinamit, me elektrik, me pesticide e me tritol. E njëjta gjë po ndodh edhe me Liqenin e Ohrit, që po e mbysin me ujra të zeza dhe po ia zhdukin koranin që në vezë. Po sikur Ksamilin ta kishte Greqia, Sazanin Italia, Liqenin e Shkodrës Mali i Zi dhe atë të Ohrit Maqedonia, a do të ndodhnin këto që po ndodhin?
- Pse unë që dua t’i shoh të lulëzuara këto copëza të vëndit tim qënkam antishqiptar, ndërsa ata që u nxjerrin themelitë e dashkan Shqipërinë më shumë se unë?
- Po qeverinë që kanë, a e meritojnë shqiptarët? Nëse nuk e meritojnë, atëhere pse e mbajnë? Dhe nëse e mbajnë nga halli se nuk e shkulin dot, atëhere ç’faj u ka qeveria?
- Nëse mjedisi i përbashkët në këtë vend vazhdon të degradojë, nëse vazhdojmë të gërryejmë lumenjtë dhe të presim pyjet, nëse vazhdojmë të zëmë sheshet me pallate dhe parqet me kafene, mos vallë këto ndodhin se ende të paktën 51% e shqiptarëve mendojnë se kjo është një gjë e mirë? Atëhere, ç’të drejtë kam unë dhe të tjerë si puna ime, t’u themi se kjo na qënkësh një gjë e gabuar?