Bakaj Lojtari me i Mire i Kategorise Superiore
Elis Bakaj fiton çmimin si “Futbollisti më i Mirë” i Kategorisë Superiore. Në mbrëmjen gala të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për festat e fundvitit është bërë publik edhe emri i atij që ka qenë lojtari më i mirë i kampionatit, sipas vetë protagonistëve. Mesfushori i Dinamos është shpallur fitues pasi ka marrë pjesën dërrmuese të 24 votave të dhëna nga trajnerët dhe kapitenët e ekipeve elitare në vend. Rivalët e 23-vjeçarit, që është edhe pjesëtar i ekipit kombëtar, ishin dy “veteranët” Orges Shehi (portieri i Skënderbeut) dhe Daniel Xhafaj (sulmues i Flamurtarit). Kjo është hera e dytë radhazi që Bakaj shpallet më i miri në Shqipëri, pas çmimit të marrë në vitin 2009.
Në momentin e marrjes së trofeut, që shoqërohet edhe nga shpërblimi monetar me vlerë 200 mijë lekë të reja, mesfushori ka falënderuar mbi të gjithë trajnerët: njerëzit e specializuar që jetojnë dhe punojnë me futbollin. “I falënderoj të gjithë për vlerësimin që më dhanë nëpërmjet këtij votimi”, deklaroi Bakaj. “Në veçanti, kjo mirënjohje është për trajnerët, që me votat e tyre më dhanë mundësinë të shpallem për të dytin vit radhazi si lojtari më i mirë i Superiores. Ata janë njerëzit që jetojnë 24 orë me futbollin, e për këtë arsye mund të them se ky trofe vlen shumë për mua”. Më tej, ai ka folur edhe për merkaton dhe për ofertat e shumta që ka për të luajtur në një prej kampionateve europiane. Alternativat janë të shumta, por opsioni më i mirë për transferimin gjatë merkatos së janarit duket se është Sivaspori në Turqi. Bakaj shtoi: “Shpresoj që viti 2011 të jetë i mbarë për të gjithë. Në aspektin personal shpresoj një ecuri të mirë dhe që të largohem sa më shpejt që të jetë e mundur nga kampionati shqiptar. Ndoshta një transfertë prej janarit? Kam disa oferta nga klube të ndryshme, por jemi ende në diskutime, si me skuadrat e interesuara ashtu edhe me Dinamon. Edhe nëse nuk arrij të largohem në janar, shpresoj që të paktën në qershor ky vit të më gjejë në një ligë europiane”.