Lajmi/Ministrat e rinj Noka, Tavo e Panariti marrin detyrën, si anëtarë të kabinetit “Berisha”
Flamur Noka do të drejtojë ministrinë e brendshme, pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në funksionin e kryetarit të shtetit, ndërkohë që Vangjel Tavo dhe Edmond Panariti do drejtojnë përkatësisht dikasteret e Shëndetësisë dhe të Punëve të Jashtme
Anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrit bënë dje betimin në zyrën e presidentit të Republikës, duke marrë në këtë mënyrë zyrtarisht detyrën e re në ekzekutivin aktual. Kështu gjatë paradites së djeshme u zhvillua në Presidencë ceremonia e katër anëtarëve të rinj, përkatësisht i Edmond Haxhinasto si zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Panariti, si ministër i Punëve të Jashtme, Flamur Noka si ministër i Brendshëm dhe Vangjel Tavo si ministër i Shëndetësisë.
Këto ndryshime dhe lëvizje në kabinetin qeveritar erdhën pas zgjedhjes së ish-ministrit të Brendshëm , Bujar Nishani në postin e Presidentit të ri të vendit.
Në vend të tij u zgjodh pikërisht deputeti demokrat Flamur Noka. Ndërsa LSI-ja i argumentoi ndryshimet mes përfaqësuesve të saj në këtë kabinet si domosdoshmëri e vlerësimit të figurave që ka kjo forcë parlamentare, por dhe e përgatitjeve për procesin e ardhshëm zgjedhor.