E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lakmusi që demaskon pushtetin e vjetër

Arben Rrozhani

-Kryeministri i ri i Shqipërisë e shndërroi mbrëmë fjalimin e tij të parë në lakmus të sjelljes së opozitës në legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë, e cila nuk do të pranojë në asnjë mënyrë, as me fjalë dhe as me vepra, të preket trashëgimia e saj ideologjike, politike dhe ajo materiale. 

Kryeministri Rama, për herë të parë në atë foltore, ku janë mallkuar, sharë dhe frikësuar pa fund vetëm opozitarë dhe ku nuk u është lënë vend, tha se nuk do të bënte, siç kishte bërë paraardhësi. Të përmendësh Dhjetorin ’90 sot do të thotë të kujtosh dhe të akuzosh pjesën më fanatike të ish-komunistëve që rrëmbyen dhe morën nën patronazh idealet e lëvizjet studentore, thirrjet e tradhëtuara për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. 

Të krahasosh fitoren plebishitare të 23 qershorit 2013 me fitoren e 22 marsit 1992, do të thotë të vësh në një rrafsh ideologjik përmbysjen e një sistemi punist të trashëguar nga 45 vite komunizëm dhe ëndrrës për demokratizim me votën 1 milionëshe të votuesve shqiptarë që i thanë “mjaft” instalimit përfundimtar të partisë-shtet që tentoi të bëjë PD-ja e Berishës me mandatin e tretë qeverisës.

Të përmendësh të drejtën kushtetuese të votës së lirë, tubimit dhe të fjalës do të thotë të kujtosh kalvarin e mijëra e mijëra nëpunësve shtetërorë që u kërcënuan me bukën e gojës dhe të ardhmen e fëmijëve, nëse nuk merrnin pjesë në mitingjet e Sali Berishës, nuk votonin dhe tregonin votën që kishin dhënë për të.

Të tregosh se vota e 23 qershorit shpëtoi vendin nga një ndarje antishqiptare e vendit në veri dhe jug do të thotë të kujtosh manovrat e turpshme të ish-partisë në pushtet për ta cilësuar jugun të kuq dhe veriun blu, duke tentuar edhe një herë kundërvënien civile, që po kjo parti tentoi të bëjë në marsin 1997.

Të tregosh se pozita e re parlamentare nuk do t’i shohë si armiq, por si kundërshtarë politikë deputetët e opozitës, do të thotë t’i kujtosh Berishës 8 vitet e shkuara, kur nga lart shihte në të majtën e tij përpara vetëm përfaqësues të popullit opozitar, që i donte vetëm të ngrinin kartonin jeshil dhe të mos bëzanin kur shkelej dhe nëpërkëmbej fjala e lirë e ligjvënësit.

Të tregosh kryetarin e ri të Kuvendit, si garantin për një parlament ku ligjin s’e bën i forti, por logjika dhe forca e mendimit, do të thotë t’i kujtosh Jozefina Topallit ato vite të trishta të parlamentarizmit shqiptar, ku deputetët “nxirreshin për zhelesh”, pse guxonin të flisnin kundër qeverisë, ku kryeministri i vendit lejohej të merrte nëpër gojë pafund, me shpifje, sharje dhe këcënime cilindo deputet opozitar, nën bekimin dhe euforinë idioteske të spikeres së Kuvendit.

T’i kujtosh opozitës së sotme se ajo nuk e ka kryetarin de jure në sallën e Kuvend, pse ai po mbahet fort pas atij mandati të rrëmbyer me vendim Kolegji, për të mbajtur peng kryeqytetin prej korrikut 2011, do të thotë t’i kujtosh Sali Berishës se ai është de facto kryetar i PD-së që ka komanduar një figurinë dhe i ka dhënë shtëpi te SHQUP-i dhe që harron se ka komanduar një kryetar të grupit parlamentar dhe merr vetë iniciativën për të bojkotuar Kuvendin.

T’i tregosh opozitës se çfarë është sot Shqipëria, ajo që me dokrra e shiste si mrekullia ekonomike dhe e dyta në Europë pas Gjermanisë do të thotë të vësh gishtin në plagët e pafundme që ka lënë 

rrumpalla kryeministrore e 8 viteve të shkuara, me rrugë, rrugë, rrugë që s’të çojnë asgjëkundi, borxhe që do t’i vuajmë me breza, një ekonomi piramidë, arsim dhe shëndetësi të falimentuar, rend të dorëzuar para krimit, mjedis të mbytur nga plehrat, një moshë të tretë që po ikën në mjerin dhe një brez të ri që rritet pa të ardhme.

Ky lakmus nuk mund të shihet shihet nga Berisha. Sepse është pasqyra e asaj që ka lënë pas, prej 23 vitesh, prej atë herë kur nisi tradhëtia e madhe me idealet e Dhjetorit ’90. Ndaj ikën, siç iku mbrëmë dhe do ikë sa herë do t’i nxirren kartat e nxira të pushtetit të pamerituar.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›