E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala firmos, “xhuxhi” deri në 2011 te Hanoveri

Bosi i “96”-ës: “Përvoja dhe influenca e Altinit e ndihmon skuadrën”. “Shkatërruesi” shqiptar është shndërruar në një ikonë te klubi i “kuq”

Përvoja vlen shumë për një futbollist. Dhe këtë e rregull të artë e di edhe presidenti i Hanover 96, Martin Kind. Bosi i skuadrës së njohur gjermane, duke vlerësuar cilësitë e veçanta të mesfushorit shqiptar vendosi të rinovojë kontratën me Altin Lalën, edhe për dy vite të tjerë, deri në vitin 2011.
Kontrata aktuale skadonte në përfundim të sezonit, dhe duke parë edhe moshën e gjendjen e tij, drejtuesit e klubit i ofruan një marrëveshje “tip recesioni”: me ulje page.
Sipas medieve gjermane, bisedat konstruktive midis palëve sollën edhe përfundimin në një kohë të shpejtë të marrëveshjes së re me mesfushorin e fortë shkatërrues.
Ish-kapiteni 33-vjeçar i Hanoverit, është një nga emblemat e skuadrës dhe një nga idhujt e tifozerisë së kuqe (thirret me nofkën “xhuxhi luftarak”).
Kapiteni i Kombëtares shqiptare militon me klubin nga Saksonia e Poshtme, që na viti 1998, e mund të vendosë një rekord absolut te “96”-ta, pasi deri në vitin 2011, do të jetë i vetmi lojtar që ka luajtur për 13 vjet me radhë te ky ekip pa asnjë ndërprerje.
Lala numëron deri tani 161 ndeshje me fanellën e Hanoverit, por gjatë këtij sezoni për shkak edhe të dëmtimeve të shumta ka luajtur në vetëm 12 takime.
“Edhe pse Altini gjatë muajve të kaluar, fatkeqësisht për shkak të dëmtimeve nuk mundi të ishte shpesh në formacion, ne jemi të sigurt, që me përvojën e tij dhe me ndikimin e tij brenda ekipit e tifozëve, ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet e mëtejshme të Hanoverit”, - tha për mediat gjermane shefi i klubit, Martin Kind.
Altin Lala mbërriti te Hanoveri nga Borusia Fulda në vitin 1998, kur Hanover ndodhej akoma në Bundesligën 2 ka dhënë shumë për ekipin gjerman dhe vlerësohet si një nga besnikët e klubit të “Kuq”.
“Lala natyrisht e di, që koha e tij si futbollist po shkon drejt fundit, por cilësitë e tij sportive janë të shumta. Ai është shndërruar në identitetin e Hanoverit”, - kishte theksuar disa ditë më parë presidenti i Hanoverit, Martin Kind, i cili nuk përton kurrë të tregojë respektin e tij maksimal për mesfushorin shqiptar.

Kapiteni i Shqipërisë

Altin Lala është kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit. 33-vjeçari ka luajtur deri tani 70 ndeshje ndërkombëtare, tre më pak se Foto Strakosha, ky i fundit mban edhe rekordin për numrin më të madh të përfaqësimeve me fanellën kuqezezë.

Tre klube
Altin Lala ka luajtur vetëm me tri skuadra gjatë karrierës së tij të gjatë futbollistike. E nisi me Dinamon në Tiranë, për të vazhduar më pas te Borusia Fulda në Bundesliga 2. Për klubin e tij aktual, Hanoverin, luan që nga viti 1998.

14 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›