E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala, një flamur për emigrantët në Gjermani

Tash 32-vjeçar, ai është jo vetëm lojtari më jetëgjatë që shërben tek Hanoveri, por edhe një nga më të preferuarit e medias, kumbar i fushatës futbolli kundër dhunës si dhe pjesëmarrës në fushatën tjetër, futbolli kundër racizmit. Pa harruar se ai është ftuar në projekte për fëmijet apo tani së fundi për një biznes me kompaninë gjermane farmaceutike Rosman

Nuk është e lehtë të integrohesh në jetën e një vendi tjetër, nuk është e lehtë të jesh i suksesshëm atje. Për Altin Lalën gjithashtu ka qenë e vështirë, por sot shqiptari shtatpaktë mund të thotë me krenari se ia ka arritur qëllimit, madje shumë më tepër nga sa priste. Në mes 82 milionë njerëzve të atij vendi të madh ai hyri si një emigrant i thjeshtë 19-vjeçar, pa ndonjë rekomandim, koha e Brigelit dhe Hanit nuk kishte mbërritur ende.

Por për shqiptarin ambicioz dhe punëtor pak rëndësi kishte ngjyra e pasaportës, kur nisi karrierën gjermane tek Borusia e Fuldës për të kaluar afërsisht pas 5 vjetësh shpejt tek Hanoveri. Ndonëse jo i pajisur me talent të jashtëzakonshëm si futbollist, Altini është i mbushur me pasion dhe seriozitet të jashtëzakonshëm lidhur me profesionin dhe me jetën në përgjithësi.

Tash 32-vjeçar, ai është jo vetëm lojtari më jetëgjatë që shërben tek Hanoveri, por edhe një nga më të preferuarit e medias, “kumbar” i fushatës “futbolli kundër dhunës” si dhe pjesëmarrës në fushatën tjetër, “futbolli kundër racizmit”. Pa harruar se ai është ftuar në projekte për fëmijet apo tani së fundi për një biznes me kompaninë gjermane farmaceutike “Rosman”.

Në “futbolli kundër dhunës” (fusball gegen gevalt), mesfushori është një nga 9 të përzgjedhurit e “topkambës”, mes Uve Rapolderit, Kristian Klasenit, Uve Brunit, Peter Nojrurerit, Daniel Tiunes, Bernd Hojnemanit, Xho Enohsit dhe Lars Toborgut.

Në një vend ku emigracioni është mjaft i madh, një i ardhur i suksesshëm si Lala nuk është një shembull tepër i shpeshtë. Doktor Sajmën Grini (Simon Green) shkruan se ndër të gjithë problemet në Gjermaninë e sotme, askush nuk është kaq i vështirë për t’u zgjidhur sa integrimi i emigrantëve në shoqërinë vendase. “Papunësia mes emigrantëve është dy herë më e lartë se mes gjermanëve, - shkruan ai, - shkalla e arsimimit shumë më e ulët dhe aftësia për të zotëruar gjuhën gjermane shumë deficitare, sidomos kur këta emigrantë janë jashtë tregut të punës”.

Altini ka një mendim të vetin për këtë çështje. I intervistuar nga mediat gjermane ai shprehet për integrim, jo për asimilim, gjë që shpesh ngatërrohet jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë vendet e zhvilluara. “Si një i huaj unë jam përpjekur gjithnjë të marr anët më të mira të mentalitetit gjerman, - shprehej ai, - emigrantët duhet të mësojnë të jetojnë në vend të huaj, të mësojnë gjuhën, të respektojnë zakonet, por jo të braktisin traditat e tyre”.

“Është e rëndësishme për të dyja palët që të afrohen me njëra-tjetrën, - vazhdon ai, - në të kaluarën janë bërë gabime në këtë drejtim nga ana e gjermanëve, kur i kanë mbledhur të huajt në vende të veçuara”. Kjo thirrje e shqiptarit duket shumë bashkëkohore, sidomos kur kujton një ngjarje të dy vjetëve më parë në një shkollë të Berlinit, “Rytli Shule” (Ruetli Schule). Në atë shkollë plasi dhuna dhe mësuesit as nuk donin të punonin aty, duke shkruar një letër të hapur e duke kërkuar ndihmë. “Mezi pres që ndonjë nxënës t’i verë zjarrin kësaj shkolle që unë të mos shkoj më aty”, - shkruante një mësuese. Pasi u hapën statistikat u morr vesh se 85 për qind e nxënësve në “Rytli” ishin bij prindërish emigrantë.

Serioziteti i Lalës ka dhënë fryte. Sot ai nuk lufton më për të drejtat e tij dhe të familjes si një emigrant, por merret si shembull për t’u mësuar edhe gjermanëve si të tregohen më tolerantë, si të mos ushtrojnë dhunë, si të mos kenë racizëm dhe madje si të bëjnë më shumë fëmijë. Në një vend me probleme të mëdha demografike edhe kjo ndihmë nuk është e vogël.

Në një ditë qershori të 2006-ës, Lala ishte ndër kapitenët e Bundesligës që nënshkruan një deklaratë kundër racizmit. Kjo erdhi pas sulmeve ndaj të huajve. “Nuk ka zemër të bardhë apo të zezë”, shkruhej në mesazhin e nënshkruar nga Lala, Per Mertezaker, Gerald Asamoah dhe amerikani Stiven Çerundolo. Për këtë u luajt edhe një film dhe Lala ishte mes aktorëve. Në një fushatë të tillë hyri edhe “shenjtëria e tij”, Franc Bekenbaueri.

Shqetësimi nuk është pa baza kur lexon se një profesor në një universitet gjerman i thotë studentëve gjermanë “mos e merrni atë salcë sepse është myslimane dhe iu lë impotentë”. (sipas doktor Daniel Fazit në “Der Shpigel”).

Sidoqoftë, Altini është i përshtatur aq mirë në Hanover saqë nuk dëshiron të banojë diku tjetër, edhe pasi të lerë futbollin. “Unë jam mirë në Hanover, - thotë ai, - nuk besoj se do të kthehem të banoj në Shqipëri pasi të le futbollin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›