E Shtunë, 31 Tetor 2026

Na duhet etikë

Dy përfaqësuesit politikë kërkojnë përfshirjen e Kodit Etik brenda Kodit zgjedhor

Dy parti politike, njëra e opozitës dhe tjetra e mazhorancës, e shohin pozitivisht idenë e përfshirjes së Kodit të etikës zgjedhore në Kodin e ri Zgjedhor. Kodi i etikës zgjedhore, i nënshkruar nga forcat politike para zgjedhjeve të vitit 2005, parashikonte zbatimin e disa rregullave dhe normave morale nga ana e forcave politike gjatë fushatave zgjedhore. Kjo marrëveshje konsensuale ka qenë në fuqi gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, si dhe gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2007. Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Republikane, Arian Madhi, thotë se do të ishte pozitive në rast se disa nga pikat e kësaj marrëveshjeje të përfshiheshin edhe në Kodin e ri Zgjedhor. “Për sa kohë kanë shprehur vullnetin të gjitha partitë politike, do të ishte mirë që dispozitat e atij kodi të gjejnë shprehjen e tyre në Kodin Zgjedhor”, thotë Madhi. Sipas tij, për realizimin e kësaj ideje duhet të ketë një iniciativë të përbashkët nga ana e forcave politike, në mënyrë që disa elemente të këtij kodi moral të marrin autoritetin e ligjit nëpërmjet Kodit Zgjedhor. Të njëjtin mendim ndan edhe kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kur thotë se, përderisa diskutohet për standardet evropiane të zgjedhjeve, duhet që edhe kodi i etikës të përfshihet në Kodin Zgjedhor. “Përderisa flasim për standarde evropiane të zgjedhjeve, duhet që edhe kodi i etikës të përfshihet brenda Kodit Zgjedhor”, thotë Milo. Sipas tij, kjo marrëveshje morale nuk ka funksionuar ashtu sikurse ndodh edhe me disa marrëveshje të cilat nënshkruhen, por shumë pak prej tyre zbatohen. “Nuk ka funksionuar, pasi për fat të keq në Shqipëri nënshkruhen shumë marrëveshje dhe bëhen shumë ligje, por shumë pak prej tyre zbatohen. Kështu që edhe kodi i etikës nuk bën përjashtim”, thotë Milo. Para se të zhvilloheshin zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2005, forcat politike në vend si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita u bashkuan në tryezën e presidentit të atëhershëm, Alfred Moisiu, duke nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për etikën zgjedhore. Kjo marrëveshje parashikonte që forcat politike në vend të zbatonin disa rregulla morale gjatë fushatës zgjedhore, por duke qenë se ishte vetëm një marrëveshje morale, zbatimi i saj nuk ishte shumë rezultativ. Kjo edhe për faktin se gjatë zgjedhjeve të kaluara janë vërejtur probleme, si dhe nuk ka pasur ndonjë monitorim se sa është zbatuar kjo marrëveshje morale mes forcave politike në vend. Megjithatë, në marrëveshjen në fjalë nuk përcaktohet ndonjë afat kohor se sa do të zgjasë, kështu që mbetet një marrëveshje në fuqi edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Tashmë, kur ka mbetur edhe pak kohë që të nisë edhe fushata zgjedhore dhe Kodi Zgjedhor i ri po hartohet, diskutimi mbetet nëse kjo marrëveshje do të marrë një karakter ligjor apo do të mbetet vetëm një marrëveshje e karakterit moral.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›