Obama i kërkon ndihmë Klintonit

Barak Obama duket se është në vështirësi, ndaj ka vendosur t’i kërkojë ndihmë edhe vetë bashkëshortit të rivales së tij, Hilari Klinton, ish-presidentit amerikan Bill Klinton. Sipas të përditshmes “The Guardian”, ai i ka kërkuar Klintonit ta këshillojë sesi të luftojë ringritjen e fushatës presidenciale të republikanëve që e ka vendosur atë në pozitë të vështirë. Senatori që kërkon të bëhet i pari president me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pati dy ditë më parë një drekë në Nju Jork me vetë ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë, që deri pak kohë më parë “nuk e shihte dot me sy”, për shkak të rivalitetit në zgjedhjet paraprake brenda kampit demokrat. Takimi mes dy prej figurave qendrore të Partisë Demokratike erdhi në një kohë kur Obama ka shënuar një rënie të theksuar në sondazhe. Vetë zyrtarë demokratë kanë shprehur hapur frikën se senatori i Ilinoisit nuk ka një strategji për t’u përballur me kundërshtarin republikan Xhon Mekein dhe zëvendësen e tij, Sarah Palin, e cila pavarësisht mungesës së eksperiencës, ka bërë shumë bujë. Pavarësisht se Bill Klinton e lavdëroi Obamën gjatë fjalimit të tij në konventën demokratike në Denver muajin e kaluar, dihet se marrëdhëniet mes tyre kanë ngecur që pas deklaratave të senatorit kundër bashkëshortit të rivales së tij të dikurshme gjatë fushatës paraprake. Dhe në fakt, takimi që u mbajt në zyrat qendrore të fondacionit të Klinton në Harlem të Nju Jorkut, shënoi përballjen e parë mes tyre që pas përfundimit të sezonit paraprak në qershor. Qëkur Obama fitoi nominimin demokrat, ata kanë folur vetëm dy herë në telefon. Sipas analistëve, ai u tregua mjaft i zgjuar për t’i hapur rrugë këtij takimi, duke deklaruar se sheh paralele mes fushatës së tij dhe asaj të Klintonit në vitin 1992, pra një politikan jo shumë i njohur që përballet me republikanët në sfondin e një ekonomie në rënie. “Do të drekoj me Bill Klintonin dhe mezi e pres këtë takim”, - i tha ai gazetarit David Letterman gjatë emisionit të së mërkurës në mbrëmje. “Nuk ka asnjë më të zgjuar se ai në politikë dhe ai do të bëjë fushatë për ne gjatë 8 javëve të ardhshme, gjë e cila me entuziazmon shumë, pasi gara të cilën ai udhëhoqi në 92-shin, është e ngjashme me atë aktuale”, - shtoi ai. Klinton ia bëri ofertën për të drekuar që një javë më parë, pasi kishte disa muaj që priste që kandidati demokrat të kontaktonte me të. Por takimi mes tyre ndodhi, pasi Sarah Palin t’i rijepte energji bazës republikane, duke e vënë në disavantazh Obamën. Nëse do të ishin takuar më parë, do të konsiderohej se Obama po e takonte nga pozicioni i të qenit në avantazh. Por tani, analistët argumentojnë se ky takim tregon se Obama është në defensivë dhe ka nevojë për ndihmë që të rikthehet fuqishëm në kursin e fushatës së tij. E ndërsa Bill Klinton mund të nisë mbështetjen për Obamën, koha e zgjedhjeve po afron. Ish-presidenti amerikan ka shumë angazhime në javët e ardhshme, duke përfshirë këtu konferencën e tij të përvitshme “Iniciativa globale” në Nju Jork, që tërheq liderë nga e gjithë bota për të diskutuar ndryshimet klimaterike dhe zhvillimet ndërkombëtare. Por ndërkohë, sondazhi më i fundit i opinionit publik tregoi se Obama po bie gjithnjë e më shumë në shtetet kyçe, që do të përcaktojnë edhe rezultatin e zgjedhjeve, si Florida, Pensilvania dhe Ohajo etj. Sondazhi i universitetit “Quinnipiac” tregoi se Mekein ndodhet në avantazh me 50 për qind kundrejt Obamës me 43 për qind. Republikani po fiton pikë edhe në Pensilvani, ndërsa demokrati gëzon ende avantazhin e tij në Ohajo, por me një diferencë të vogël. Java e keqe e Obamës u përkeqësua edhe më shumë, por Shoqata Kombëtare Amerikane e Pushkëve u deklarua kundër tij. Kjo shoqatë, e cila ka miliona mbështetës amerikanë dhe ka luajtur një rol të vogël në fushatë, e sheh Obamën si armiqësor ndaj pronësisë së armëve në SHBA.