E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari: Sjellje shembullore e Policisë gjatë protestave, çdo akt dhune do trajtohet sipas ligjit

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se Policia e Shtetit do të garantojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, ndërsa paralajmëroi se çdo akt dhune ndaj efektivëve, gazetarëve apo institucioneve do të trajtohet sipas ligjit.

I pyetur nga gazetarët lidhur me protestën e paralajmëruar përpara Kuvendit ditën e nesërme dhe akuzat e ngritura nga opozita, por edhe organizata vendase dhe ndërkombëtare për përdorim joproporcional të forcës nga policia gjatë protestave të mëparshme, Lamallari hodhi poshtë këto pretendime.

“Sjellja e Policisë së Shtetit gjatë protestave ka qenë shembullore. Me gjithë provokimet dhe aktet e dhunës ndaj efektivëve, policia ka treguar maturi, vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm. Detyra jonë është të garantojmë të drejtën për protestë paqësore, por njëkohësisht të procedojmë çdo person që shkel ligjin apo ushtron dhunë”, deklaroi ai.

Lamallari tha se faktet tregojnë se gjatë protestave kanë mbetur të lënduar punonjës policie, të cilët kanë qenë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë, por edhe gazetarë e operatorë mediatikë të sulmuar nga protestues të dhunshëm.

“Duhet të ndajmë ata që ushtrojnë një të drejtë kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore nga ata që kryejnë akte dhune. Këta të fundit janë identifikuar, proceduar dhe ndjekur penalisht nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria, ndërsa në disa raste masat janë konfirmuar edhe nga gjykata”, u shpreh Lamallari.

Ministri nënvizoi se Policia e Shtetit do të vijojë të mbrojë jo vetëm protestuesit paqësorë, por edhe qytetarët, deputetët, gazetarët dhe çdo person që ushtron detyrën apo të drejtat e tij në përputhje me ligjin.

“Nuk duhet të ngatërrojmë protestën paqësore me dhunën. Kush ushtron të drejtën kushtetuese për të protestuar do të ketë mbrojtjen e Policisë së Shtetit, ndërsa kush sulmon efektivët, gazetarët apo cenon rendin publik do të përballet me ligjin”, përfundoi Lamallari.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›