E Hënë, 2 Nëntor 2026

Betonierja bie nga mbikalimi në Tiranë, dy viktima

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në afërsi të një qendre tregtare, në dalje të Tiranës.

Një betoniere, e cila ndodhej në mbikalimin e një prej nyjeve të Unazës së Madhe, dyshohet se ka goditur një automjet që lëvizte përpara saj. Më pas, mjeti ka rënë nga mbikalimi, duke shkaktuar humbjen e jetës së një prej dy personave që ndodheshin tek betonierja.

Policia e Tiranës në një njoftim paraprak sqaron se:

Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet.

Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.

Për pasojë dy personat që po udhëtonin me kamion kanë humbur jetën. Policia sqaron se janë identifikuar dy personat që udhëtonin në kamionin (pompë betoni) konkretisht shtetasit e huaj: -M. L., rreth 30 vjeç, drejtuesi i kamionit, i cili humbi jetën në vendngjarje; M. A., rreth 44 vjeç, pasagjeri, i cili, pavarësisht ndihmës mjekësore, ka ndërruar jetë në spital.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

…Vijon

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›