E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari mbledh prefektët: Çdo shqetësim i qytetarëve meriton përgjigje

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim me prefektët e 12 qarqeve të vendit.

Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i komunikimit me qytetarët dhe rritja e përgjegjshmërisë së administratës publike në territor.

Përmes prefektëve, të cilët përbëjnë një hallkë kyçe të shtetit në çdo qark, ministri përcolli porositë e Kryeministrit për një komunikim profesional, korrekt, të besueshëm dhe të shpejtë me qytetarët.

Lamallari theksoi se çdo ditë qytetarë të shumtë i drejtohen institucionit të Prefektit për shërbime, informacion ose zgjidhje të problematikave që prekin jetën e tyre.

Prandaj, çdo kërkesë dhe çdo shqetësim duhet të trajtohet me vëmendjen dhe seriozitetin e duhur.

“Çdo shqetësim apo kërkesë për informacion i qytetarëve meriton vëmendje. Ne kemi detyrimin të përgjigjemi dhe të japim zgjidhje”, deklaroi ministri. Ai nënvizoi se përgjegjësia e institucioneve nuk mbaron me marrjen e kërkesës, por duhet të vazhdojë deri në adresimin konkret të saj.

Sipas ministrit, besimi te institucionet ndërtohet përmes pranisë, komunikimit të hapur dhe zgjidhjeve reale, që e bëjnë qytetarin të ndihet i dëgjuar dhe i respektuar.

“Besimi ndërtohet aty ku qytetari ndihet i dëgjuar dhe ku institucionet veprojnë me zgjidhje konkrete. Ky është standardi që duhet të udhëheqë punën e çdo shërbëtori publik, në çdo cep të vendit”, theksoi Lamallari.

Në mbyllje, ministri e lidhi këtë qasje me iniciativën #BESA dhe #PraniaBesnike, duke e cilësuar atë si standard për një administratë më të përgjegjshme, më të afërt dhe më të besueshme për qytetarët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›