Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Lezhë. Plagosen 6 persona, mes tyre dy të mitur

Një bombol gazi ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës, duke shkaktuar dëmtime te gjashtë persona, mes tyre dy fëmijë të mitur.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit S. K., 40 vjeç.
Si pasojë e shpërthimit, kanë pësuar dëmtime dy fëmijë 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës S. K., si dhe shtetaset L. U. (64 vjeçe), L. B. (70 vjeçe) dhe V. Gj. (58 vjeçe).
Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve drejt Spitalit Rajonal të Lezhës.
Shtetasi S. K. është dërguar më tej në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar, ndërsa të dëmtuarit e tjerë po marrin mjekim në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor i policisë ndodhet aktualisht në vendngjarje për të dokumentuar rastin dhe për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/