Vihet në kontroll zjarri pranë një hoteli në Vlorë

Një vatër e re zjarri është shfaqur pasditen e sotme pranë një hoteli në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pisha, duke alarmuar banorët dhe pushuesit e zonës.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse. Efektivët e shërbimit të zjarrfikësve kanë ndërhyrë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Pas ndërhyrjes, situata është vendosur nën kontroll dhe zjarri është fikur. Sipas të dhënave paraprake, shkaku i zjarrit lidhet me humusin e nëntokës, i cili vijon të digjet dhe, i ndikuar nga era, mund të rindizet në sipërfaqe.
Zjarrfikësit kanë vazhduar punën për të siguruar që vatra të mos riaktivizohet dhe zjarri të mos përhapet në zonat përreth.
/rtsh.al/