E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamallari pas largimit nga detyra: Shërbimi ndaj vendit, nderimi më i madh

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi pas përfundimit të detyrës së tij në krye të institucionit, duke e cilësuar shërbimin ndaj vendit si një prej nderimeve më të mëdha.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai thekson se Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë një institucion ku është formuar profesionalisht, politikisht dhe njerëzisht.

“Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh vendit tënd, duke u përpjekur çdo ditë të japësh më të mirën tënde në përgjegjësitë që të besohen. Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe në veçanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri është më shumë se sa një privilegj. Është “libri i jetës” i cili të udhëzon drejt më tej në çdo stacion vijues”, shkruan ai.

Ai shprehet mirënjohës ndaj kryeministrit Rama për mundësinë dhe besimin, teksa shtoi se tashmë do të vijojë angazhimin e tij të ri si pjesë e ekipit të kryeministrit.

“Për këtë mundësi të jashtëzakonshme, mirënjohje gjithmonë Kryeministrit Edi Rama, të cilit tashmë do të kem kënaqësinë e veçantë t’ia kthej nderin e lartë dhe besimin tek unë edhe përmes angazhimit të ri si pjesë e ekipit të Tij”, shkruan ai.

Lamallari theksoi se “ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm me ekipin më të mirë në krah dhe i bekuar nga mbështetja deri në sakrificë e familjes time”.

Lamallari gjithashtu i uroi suksese pasuesit të tij, Ervin Demo, duke shprehur bindjen se ai do të do të çojë përpara me sukses prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›