E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lampard, si Scholes dhe Giggs

Frank Lampard ka insistuar se dëshiron të mbetet në Chelsea edhe për disa vite duke përcjell shembujt e Paul Scholesit dhe Ryan Giggsit.

33 vjeçari ka edhe një vit në kontratën e tij aktuale në Stamford Bridge derisa është spekuluar se mund të transferohet në Spanjë, SHBA dhe Kinë. Por, Lampard synon të përcjell shembujt e futbollistëve të Manchester Unitedit, Scholes dhe Giggs të cilët vazhdojnë të luajnë edhe pse janë në fund të 30-tave.

“E dua Chelsean, synoj të mbetem këtu edhe për më tepër se një sezon”, tha Lampard për Sunday Mirror. “Shikoj futbollistët si Paul Scholes dhe Ryan Giggs në Manchester United dhe atë që janë duke e bërë tani dhe mendoj se mund ta bëjë edhe unë për Chelsean. Dua të përcjell shembullin e tyre”, shtoi ai.

Lampard pranon se mendoi për largim nga klubi disa vite më parë por është i lumtur që mbeti në Chelsea.

“Kam konsideruar transferimin në një shtet të huaj para tri ose katër vitesh, është e vërtetë. Por, kam vendosur të qëndroj në Chelsea për një kohë të gjatë. Ende besoj se mund ti kontribuoj ekipit. Ndihem mirë, jam i freskët në stërvitje dhe kënaqem duke luajtur”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›