Trajnohen profesionalisht 10 gurgdhendës dhe drugdhendës të rinj
Gjirokastër Në qytetin e Gjirokastrës ka përfunduar zbatimi i projektit “Forcimi i Zejtarisë në Gjirokastër”, i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Tiranë dhe që u vendos në jetë nga Organizata për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike. Kjo nismë synon mbajtjen gjallë të traditës së punimeve në drugdhendje, gurgdhendje etj. dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj. Pjesë e këtij projekti, i cili zgjati për katër muaj rresht, u bënë një grup të rinjsh të apasionuar pas punimeve tradicionale. “10 të rinjtë u aftësuan falas dhe pa asnjë pagesë monetare nga ana e tyre në kurset e trajnimit profesional në lidhje me punimet e traditës gjirokastrite në gur të skalitur, gdhendje druri etj.”, pohon Stefan Domke, koordinator i projektit. Këto kurse profesionale kishin për qëllim të sillnin kualifikim të mëtejshëm për kërkesat në rritje të tregut lokal të punës për mjeshtër restaurues si dhe për prodhues të suvenireve për turistët. “Ndihem i kënaqur për dijet e fituara dhe mundësitë që shikoj për të punuar në Gjirokastër gjatë zbatimit të projekteve restauruese”, thotë Saimir Meçani, një i ri pjesëmarrës në këtë projekt. Sipas organizatorëve, disa prej të rinjve do vazhdojnë së shpejti kualifikimin edhe në kampet ndërkombëtare të restaurimit.
Gjatë projektit u përfundua edhe ndërtimi i një laboratori të punës praktike në mjediset e Shkollës së Mesme Profesionale në Gjirokastër. Ky mjedis do të jetë në shërbim jo vetëm të nxënësve të kësaj shkolle, por edhe të nismave të tjera që synojnë kualifikimin profesional të të rinjve, aq më tepër në mjeshtëritë e traditës gjirokastrite.
Bledar Shehu