E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nensi Pelosi, gruaja e hekurt...

Nensi Pelosi është krejtësisht e kundërta e Margaret Thaçerit. Kjo e fundit ishte një grua e ashpër dhe pa fleksibilitet në rolin publik të Kryeministres, por shumë çapkëne dhe plot feminilitet në jetën private (një nga anëtarët e kabinetit tha një herë se pati disa fantazi erotike kur ajo i kaloi përpara, duke i lënë një aromë të mrekullueshme "Chaneli"). Nensi është krejtësisht e kundërta. Kur fola për herë të parë me të në zyrën e saj në "Capiton Hill", prillin e kaluar, sapo ishte kthyer nga një ceremoni ku kishte ndarë skenën me Mishel Obamën dhe Hilari Klintonin. Gjithmonë elegante, e veshur bukur, me një buzëqeshje profesionale dhe një paraqitje, sa moderne aq edhe klasike. "Gjithmonë ka qenë elegante", tregon Aleksandra, një nga pesë vajzat e saj. Sapo mbyll derën e zyrës gjendesh përballë një gruaje që flet shpejt dhe kujdeset për veten si një italo-amerikane nga Baltimora, vendi ku është rritur nga një familje e fuqishme politike. Nuk duket aspak si një zonjë e dalë nga atmosfera e San Franciskos, ku ka jetuar për 40 vjet me radhë si gruaja e një financieri të pasur. E ulur në një karrige, ku qëndron me shpatullat drejt, Nensi nis të tregojë për ligjet kryesore që i është dashur të aprovojë në Dhomën e Përfaqësisë së Kongresit gjatë 100 ditëve të para të Obamës. "Jam e disiplinuar dhe shumë e informuar për gjithçka. I njoh çështjet politike dhe arrij të kuptoj mirë njerëzit", përgjigjet me një frymë kur e pyet se si e ka konsoliduar bazën e pushtetit të saj në Parlament. I vetmi moment kur i hedh një sy shkresave të saj mbi tavolinë është ai kur e pyet se çfarë dinte ekzaktësisht për "Waterbording" (mbytja e simuluar). Siç dihet tashmë, më 4 shtator të vitit 2002, ajo u informua nga CIA mbi teknikat intensive të pyetjeve, bashkë me republikanin Porter Gos. Megjithatë, mbetet shumë kontradiktore rreth asaj se çfarë dinte ekzaktësisht. Nensi thekson se ju tregua diçka vetëm atëherë dhe ekskluzivisht për sa i përket faktit se avokatët e qeverisë kishin arritur në përfundimin se disa teknika ishin ilegale, duke mos e vënë theksin tek e vërteta që doli disa ditë më vonë: asaj që anëtari i dyshuar i "Al Kaedës", Abu Zubaydahi, i ishte nënshtruar mbytjes së simuluar 83 herë pas kapjes në Pakistan në mars të vitit 2002. "Çdo pohim i kundërt nuk është i vërtetë", thotë kryetarja. Demokratët janë të njohur për kapacitetin e tyre për ta futur veten në kurth. Nensi Pelosi ia doli mbanë në Kongres deri kur Presidenti Obama nuk tregoi dokumentet ligjore të administratës "Bush" mbi torturën. Pak javë më vonë, Obama e sheh më të arsyeshme të bëjë hapa pas dhe të bllokojë publikimin e fotove të ushtarëve amerikanë që kishin torturuar të burgosurit në Irak dhe në Afganistan, sepse kjo mund të përbënte një rrezik për ta. Kështu, edhe Nensi Pelosi u gjend përballë një dileme. Obama ka thënë hapur se dëshiron të "kthejë faqe" mbi kujtimet e këqija të atyre teknikave të pyetjeve. Por, trupat e Nensit tentojnë ta pengojnë, duke dashur të hakmerren ndaj Bushit dhe republikanëve që kërkojnë të mbrojnë njeriun e tyre. Për arsye nga më të ndryshmet, sot gjendet në pozicionin e sikletshëm ku e futi veten, se çfarë dinte me saktësi dhe kur e kishte marrë vesh. Gos thotë se kishte mbetur i habitur përballë justifikimeve të Nensit që atij i duken si një formë amnezie selektive. Në fakt, nëse lexohet mes rreshtave të komentit të tij kritik të publikuar në "Washington post", aty pranohet se të dyve u ishte thënë se "Waterbording" ishte praktikuar tashmë. Por ka shkruar se teknikat intensive të marrjeve në pyetje, në të vërtetë, ishin shumë të ashpra. Shpjegimi i Nensit nuk pati asnjë efekt mbi senatorin Xhon MekKein: "Ajo ishte e informuar për këtë", pati deklaruar. Por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres mund të kundërsulmojë, duke thënë se CIA e detyroi që të mos fliste me askënd tjetër për këtë. "Nëse flisni mund të përfundoni nën akuzë", pati thënë Nensi. Megjithatë, ajo mbajti pozicionin e saj edhe kur dolën lajmet e reja, sipas të cilave, një prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm, Jane Herman, kishte qenë i pranishëm në një teknikë të tillë në shkurt të vitit 2003, gjatë të cilit kishte thënë se "Waterbording" në të vërtetë ishte shumë i ashpër. Herman atëherë shkroi një letër proteste ndaj qeverisë që kryetarja e Dhomës e mbështeste, por pa e nënshkruar. Edhe pse pas atyre fjalimeve, u detyrua që të thërriste një konferencë për shtyp, ku konfirmoi se kishte dëgjuar të flitej për "Waterboarding" nga bashkëpunëtori i saj në shkurt të vitit 2003 dhe jo më parë. Shumë mendojnë se ajo është një prej fajtoreve, ndërkohë që është administrata "Bush" ajo që duhet të shkojë në bankën e të akuzuarve. Nga ana e saj, Nensi Pelosi di se duhet të mbrojë anën e saj progresiste. "Nuk mund të heqësh dorë nga një veprim gjyqësor. Obama dëshiron të kthejë faqe, ndërsa unë dhe Kongresi duam të dimë të vërtetën". Ajo është një grua që punon shumë. Dita e saj fillon me tharjen e flokëve në orën shtatë të mëngjesit në "Hotel George", së bashku me gra të tjera të pushtetshme, si ish-sekretarja e Shtetit, Madlen Albright, Janie Gange e "Today show", Norah O‘Donnell i NBC-së dhe përfundon me programin e dashur televiziv të Xhon Stjuartit. Gjithmonë është në formë të mirë, edhe pse nuk merret me gjimnastikë. Bashkëshorti i kishte dhuruar një biçikletë për t‘u marrë me sport, por Aleksandra tregon se e kishte zbuluar një darkë kur, ndërsa shihte CNN, hante akullore dhe lexonte disa dokumente. Duket e pabesueshme që do të mbushë 70 vjeç në 2010. Ajo është një grua që di të dëgjojë, ashtu si një nënë e pesë fëmijëve dhe një grua e shtatë nipërve di të bëjë. "Nuk mbaj mend që të ketë humbur asnjë betejë në jetë", tregon deputeti Harold Ford".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›