Lamtumirë, Cole!

Futbollisti i parë që shënoi gol në një ndeshje zyrtare në stadiumin e ri Wembley, Mitchell Cole ka vdekur. Cole, 27 vjeç, u detyrua të pensionohej nga futbolli profesionist në shkurt të vitit të kaluar, pasi pësoi sulm kardiak.
Ai vuajti nga një trashësi e parregullt në pjesë të caktuara të zemrës. Football League në profilin zyrtar në rrjetin social Twitter konfirmoi lajmin e hidhur për vdekjen e tij. “Me keqardhje të thellë ju njoftojmë se ish futbollisti i Southend, Stevenage dhe Oxford, Mitchell Cole ka ndërruar jetë. Ngushëllimet tona i shkojnë familjes dhe shoqërisë së tij”, shkruante në të.
Cole ishte i martuar me motrën e mesfushorit të Liverpoolit, Joe Cole. Si tinejxher ai iu bashkua akademisë së West Hamit, kurse pas largimit prej saj luajti në liga të nivelit inferior.
Ai shënoi për Stevenagen kundër Kidderminster në Wembley në finalen e FA Trophy 2007 si dhe ndihmoi ekipin të sigurojë promovimin në Football League më 2010.
Ai më pas kaloi në Oxford, ku edhe u detyrua të pensionohej nga futbolli profesionist vitin e kaluar, duke thënë se do të rrezikonte vdekjen nëse do të luante sërish.
Gjatë një interviste për tabloidi The Sun, Cole kishte thënë: “Një numër futbollistësh në mbarë botën vdesin për shkak të kësaj çdo vit. Specialistët më kanë thënë se çdo ditë kam një për qind më tepër gjasa të vdes, kurse sporti e katërfishon rrezikun. Kur ai më tregoi këtë dhe fotografitë e zemrës time, jam prekur thellë”.
Edhe pse u pensionua nga futbolli profesionist, ai bëri disa paraqitje në liga amatore, disa prej të cilave për skuadrën Arlesey Town. Megjithatë, sipas drejtorit të tyre të futbollit, Gary King, pasi përcolli mesfushorin e Boltonit, Fabrice Muamba që pësoi sulm kardiak në ndeshjen e FA Cup kundër Tottenhamit në mars, Cole u bind të largohet përfundimisht nga futbolli.
“Ne ishim duke përcjellë atë ndeshje në shtëpi dhe ai u kthye dhe më tha: ‘Nuk do të luaj më’, edhe pse më kanë thënë se ai mund të ketë luajtur pesë kundër pesë në Londër atë mbrëmje”, tha King.
Cole kishte shkruar në Twitter të premten rreth aktivizimit të tij. Në llogarinë mitchcole21, ai shkroi: “Në Londër sonte për takimin e zakonshëm me djelmoshat”.
PFA iu bashkua Football League duke shprehur ngushëllimet. “PFA ndien keqardhje të thellë pas humbjes së 27 vjeçarit Mitchell Cole dhe mendimet tona janë me familjen dhe shoqërinë e tij”.