E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besëlidhja-Partizani, supersfida e javës

Do të luhen sot ndeshjet e javës së 14-të të Kategorisë së Parë. Sfida më e fortë do të zhvillohet në Lezhë, ndërmjet Besëlidhjes vendëse dhe Partizanit. Lezhjanët po kalojnë një moment të keq dhe sot do të kërkojnë medoemos fitoren ndaj të kuqve. Nga ana tjetër, kryeqytetasit, që kanë si objektiv kryesor ngjitjen në Superiore, synojnë që të shkëpusin tri pikë dhe të ruajnë ritmin e ekipeve kryesuese. Besëlidhja ka në këtë takim një mungesë të rëndësishme, siç është ajo e portierit Dashamir Xhika. Në vend të tij do të aktivizohet 20-vjeçari Rinev Danaj. Lushnja kryesuese do të ketë përballë Kamzën. Për shkak se fusha e stadiumit të Lushnjës është në rikonstruksion, sfida do të luhet në Berat. Pritet që verdhejeshilët të marrin fitoren e radhës, duke qenë se po kalojnë një formë shumë të mirë. Elbasani-Gramshi është derbi i prefekturës, ku verdheblutë synojnë vetëm tri pikët. Dinamo, që duket se e ka kaluar periudhën e vështirë, do të ndeshet me Ilirinë, sfidë që do të luhet në Kavajë. Mamurrasin e vendit të dytë e pret një transfertë e vështirë në Pukë ndaj Tërbunit vendës. Ndeshjet e tjera janë Ada-Naftëtari, Butrinti-Himara dhe Burreli-Pogradeci.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›