E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamtumirë Papa Françesku! Ati i Shenjtë prehet në bazilikën e Shën Marisë së Madhe. 400 mijë besimtarë në ceremoninë mortore

Mbi 400 mijë besimtarë e udhëheqës botërorë i kanë dhënë sot (26 prill) lamtumirën e fundit Papa Françeskut. Ceremonia mortore u mbajt në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, sipas dëshirës së Papa Françeskut, i cili donte që “shërbimi funeral të ishte i një bariu dhe një dishepull i Zotit, jo i një prej të fuqishmëve të tokës”.

Kardinali Giovanni Battista Re, i cili drejtoi ceremoninë mortore, përmendi rrugën që zgjodhi Papa Françesku ndërsa ishte në krye të Kishës Katolike Romake, si dhe gjurmët që ai la. Ai kujtoi edhe thirrjen e vazhdueshme të Papa Fraçeskut “Të ndërtojmë ura dhe jo mure“.

“Papa Françesku zgjodhi të ndiqte një rrugë vetëflijimi deri në ditën e fundit të jetës së tij tokësore. Me lutjet tona, ne tani ia besojmë shpirtin e Papës tonë të dashur Zotit, në mënyrë që ai t’i japë atij lumturi të përjetshme në vështrimin e ndritshëm dhe të lavdishëm të dashurisë së tij të pafundme“, tha Kardinali Re, ndër të tjera, në homilinë në funeralin e Papës së ndjerë.

Pas ceremonisë mortore, trupi i pajetë i Papa Françeskut u përcoll për në banesën e fundit. Arkivoli i tij kaloi nëpër qendrën historike të Romës përpara se të dërgohej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe të Romës, vendi i fundit i prehjes që kërkoi Papa Françesku.

Në testamentin e tij, Papa Françesku dha udhëzime të thjeshta për varrimin: “Varri duhet të jetë në tokë, i thjeshtë, pa dekorime të veçanta dhe të mbajë vetëm mbishkrimin: Franciscus”. Papa Françesku është papa i parë në më shumë se një shekull që varroset jashtë Vatikanit.

Në ceremoninë mortore në Sheshin Shën Pjetri ishin të pranishëm 12 monarkë dhe 52 presidentë, 23 krerë qeverishë dhe delegacione nga 166 vende.

  • Dhjetëra udhëheqës dhe personalitete, duke përfshirë Donald Trump, Volodymyr Zelensky dhe Princin William, iu bashkuan mbi 400 mijë njerëzve të pranishëm, ku 50 mijë ishin brenda vetë Sheshit të Shën Pjetrit. I pranishëm ishte edhe Presidenti Bajram Begaj dhe po ashtu edhe krerët fetar në Shqipëri.

    Papa Françesku vdiq në moshën 88-vjeçare pasi pësoi një goditje në tru të hënën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u shfaq në të njëjtin shesh për t’u dhënë bekimin e tij besimtarëve.  Në ditët që pasuan, rreth 250,000 vajtues u mblodhën në Vatikan për t’i bërë nderimet e tyre të fundit, ndërsa trupi i Atit të Shenjtë  shtrihej brenda Bazilikës së Shën Pjetrit. Arkivoli i tij u vulos zyrtarisht të premten në mbrëmje në një rit liturgjik të udhëhequr nga Kardinali Camerlengo Kevin Farrell, kreu në detyrë i kishës.

    Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, dashurinë për të varfërit dhe thirrjet e tij të vazhdueshme për paqe, drejtësi sociale dhe mbrojtjen e mjedisit.

    /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›