E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lanson fizibilitetin

Komisioneri Europian, Stefan Fule, do të qëndrojë në Prishtinë javën e ardhshme. Pas takimeve me autoritetet kosovare, ai do të lansojë formalisht studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën. Ky proces, sipas zyrtarëve të BE-së, pritet të përfundojë dikur në vjeshtë. Por, Fule nuk do të sjellë të martën udhërrëfyesin për vizat, siç pohuan të premten zyrtarë të Qeverisë.

Të martën, më 27 mars, Komisioneri Fule gjatë vizitës së tij në Kosovë do të lansojë edhe ormalisht fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Kosovën.

Siç mëson Express nga burime anonime brenda BE-së, agjenda e Komisionerit Fule fillon me një takim me Presidenten Jahjaga, pastaj me Kryeministrin Thaçi dhe më pas në Këshillin Kombëtar për Integrime, ku Fule do të shpallë lansimin formal të studimit të fizibilitetit.

Sipas burimeve të Express, studimi pritet të zgjasë përafërsisht gjashtë muaj, apo deri në vjeshtë.

Ky proces është vlerësuar i rëndësishëm nga zyrtarë brenda BE-së, të cilët sqarojnë se studimi do të identifikojë fushat ku Kosova duhet të bëjë progres në mënyrë që t’i përmbushë kushtet për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

“Komisioneri Fule do të kërkojë nga institucionet kosovare që, mes tjerash, të ndërmarrin reforma në administratën publike, ligjin zgjedhor, sundimin e ligjit dhe aspekte të tjera”.

Ndër të tjera është sqaruar se Fule do të flasë do ta përmend edhe çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim , qasjen e Kosovës në programet e BE’së ...

Por, ajo që është e sigurt, është se Komisioneri Fule nuk do të sjellë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave gjatë kësaj vizite. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë të premten se Fule do ta sjellë në javën tjetër. Deklarata është bërë nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili gjatë ditës ka thënë se është keqinterpretuar nga mediet.

Kur është për udhërrëfyesin zyrtarët e BE’së kanë përmendur deklaratën që është bërë në janar nga zyrtarja e BE’së për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmstrom, e cila pati thënë se udhërrëfyesi mund t’i jepet Kosovës në fund të pranverës.

Po ashtu Komisioneri Europian do të sjellë disa mesazhe të rëndësishme në Kosovë. Mes tyre është edhe përkushtimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Fule nuk do të vijë me kërkesa specifike për veriun e Kosovës, por do të ritheksojë përkrahjen e Komisionit për një agjendë gjithëpërfshirëse për këtë pjesë si dhe do të kërkojë mendimin e palës kosovare për këtë çështje.

Sipas zyrtarëve të BE’së, është përgjegjësi e institucioneve kosovare që të krijojnë një strategji për integrimin e kësaj pjese. Për BE-në, edhe kjo pjesë e dialogut është teknike, por ka shumë çështje për të cilat mund të bisedohet sa i përket aranzhimeve për

zgjidhjen për veriun e vendit.

“Ne gjithmonë kemi thënë se dialogu është teknik. Por, ajo që dëshirojmë të shohim është se si është zhvilluar qasja e Kosovës ndaj veriut këto muajt e fundit. Ne nuk dëshirojmë të imponojmë zgjidhje dhe për këtë jemi në pozitë të dëgjimit tani”, thonë burimet për Express.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›