Pinari e Delijorgji, antiamerikanë

Në dy seancat e pyetjeve të bëra nga prokuroria, si kreu i Meico-s, ashtu edhe administratori i Albademil i ngarkuan të gjitha përgjegjësitë për ruajtjen dhe sigurinë e procesit firmës amerikane SAC
TIRANË - Të cilësuarit si përgjegjës kryesorë të tragjedisë së Gërdecit nuk pranojnë në asnjë moment se veprimet apo mosveprimet e tyre ishin ato që shkaktuan shpërthimin e 15 marsit. Ky është qëndrimi që Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji kanë përsëritur para hetuesve të çështjes në dy përballjet që kanë pasur me ta. Zyrtarisht, burime nga prokuroria konfirmojnë faktin, se administratori i firmës “Albademil” dhe drejtori i ndërmarrjes së import-eksportit të materialeve ushtarake “Meico”, janë pyetur dy herë nga prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore që po hetojnë çështjen. Deklarimet iu janë marrë para dhe pas ndalimit dhe në të dy këto momente, Pinari dhe Delijorgji kanë hequr të gjitha përgjegjësitë nga vetja. Sipas prokurorisë, dy personat nën hetim për veprën penale të “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” janë pyetur për të gjitha pikat e errëta, një pjesë e mirë e së cilave edhe tashmë që ka kaluar më shumë se një javë nga tragjedia, ngelen ende të pazbardhura. Pjesa më e madhe e deklarimeve është përqendruar mbi personat që duhet të kryenin kontrollin e procesit të demontimit të predhave në fabrikë. Dy të ndaluarit mësohet se kësaj pyetjeje i janë përgjigjur thuajse njëzëri, se përgjegjës për kontrollin e kushteve të sigurisë dhe veprimtarisë që kryhej në fabrikë ishte firma amerikane “Southern Ammunition Company Inc”. “Meico” kishte si detyrë të furnizonte firmën që kryente procesin e demontimit me municione, pasi një pikë e tillë është parashikuar në kontratë. Ndërsa kushtet e punës, masat e sigurisë dhe realizimi i procesit nuk ishte detyra jonë”, - mësohet të jetë shprehur ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore “Meico”, Ylli Pinari, gjatë dhënies së deklarimeve para hetuesve të çështjes. Në dëshminë e tij, Pinari ka shpjeguar dhe gjithë procedurat e ndjekura, që nga vendimi i Këshillit të Ministrave e deri tek lidhja e kontratës me kompaninë amerikane për demontimin e predhave, procedura këto që ish-drejtori i “Meico”-s i ka quajtur tepër të rregullta nga pikëpamja ligjore. Nga ana e tij, administratori i firmës së nënkontraktuar nga “Southern Ammunition Company Inc”, Mihal Delijorgji, është shprehur se “firma e administruar prej meje kishte si detyrë demontimin e predhave, ndërsa për kontrollin, pajisjet dhe kushtet e sigurisë duhet të përgjigjej kompania amerikane. Për të mbikëqyrur procesin e punës që kryhej në fabrikë, unë kam emëruar një drejtor ekzekutiv, i cili kishte këtë detyrë”, - është shprehur Delijorgji gjatë dy deklaratave të tij, duke sqaruar dhe procedurat e ndjekura për firmosjen e nënkontratës me kompaninë amerikane, pa pohuar ortakërinë mes tij dhe Patrick C. Henry III në kompaninë “Albademil”.