E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larg nga liberalizimi!

Qytetarët e Kosovës, të paktën gjatë këtij viti, nuk do të mund të lëvizin pa viza, ashtu sikurse që ishte premtuar nga qeveritarët e vendit. Ngecjet e shumta në fushën e drejtësisë, në sundimin e ligjit dhe në luftimin e korrupsionit, si kritere kryesore për liberalizim vizash, edhe për një kohë të gjatë do t’ia pamundësojnë qytetarit të vendit që të lëvizë lirshëm në zonën Shëngen, shkruan “Zëri”.

Në janar të këtij viti ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, gjatë një interviste për mediet ka thënë se “beson që deri në fund të vitit 2012 kosovarët do të lëvizin pa viza”. Ajo madje, pati deklaruar se Prishtina zyrtare është e vetëdijshme se kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova, që janë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare janë më të rënda sesa ato të cilat janë kërkuar për vendet tjera të rajonit.

Por, një burim ndërkombëtar i ka thënë “Zërit” se kosovarët nuk duhet të “shohin ëndrra” se do të arrijnë të lëvizin pa viza së paku edhe njëzet e katër muaj. “Unë habitem kur i dëgjoj deklaratat e disa qeveritarëve në Kosovë, të cilët thonë se shumë shpejt Kosova do të përfitojë liberalizimin. E para, ju nuk i keni plotësuar as për së afërmi kriteret për liberalizim, e dyta edhe për t’i plotësuar ato nuk është e mundur para njëzet muajve”, ka thënë ai.

Ky zyrtar ndërkombëtar, sipas kësaj të përditshmeje, ka deklaruar se drejtuesit e Qeverisë së Kosovës e kanë problem serioz me sundimin e ligjit dhe më pak problem çështjen e menaxhimit të kufijve. Sipas tij, derisa të mos jetë në nivel të duhur sundimi i ligjit, qytetarët do të bëhen viktimë e politikës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›