Largohet Sala, Begaj dekreton në krye të ministrisë së Shëndetësisë Klodiana Spahiu

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar shkarkimin e Evis Salës nga detyra e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në të njëjtën ditë, kreu i shtetit ka firmosur edhe dekretin për emërimin e Klodiana Spahiut në krye të këtij dikasteri.
Ndryshimi në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë vjen pas largimit të Evis Salës nga qeveria.
Sala kishte bërë të ditur më herët se po largohej nga detyra për shkak të angazhimeve ndërkombëtare në fushat e saj të ekspertizës, mes tyre onkologjia, inteligjenca artificiale dhe inovacioni.
Me dekretin e ri, drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i kalon Klodiana Spahiut, e cila deri në këtë moment mbante postin e nënkryetares së Kuvendit dhe ishte deputete e Partisë Socialiste.
Spahiu ka një profil të lidhur drejtpërdrejt me fushën e shëndetësisë. Ajo ka përfunduar studimet për Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Tiranës në vitin 1997 dhe më pas është specializuar në kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”.
Gjatë karrierës së saj, Spahiu ka punuar si mjeke kardiologe në QSUT dhe në Spitalin e Durrësit, ku më pas ka drejtuar këtë institucion. Ajo ka pasur gjithashtu angazhime në fushën akademike dhe mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Para kalimit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Spahiu ishte pjesë e drejtimit të Kuvendit si nënkryetare. Emërimi i saj e rikthen në një post ekzekutiv një politikane me përvojë në fushën e mjekësisë dhe menaxhimit shëndetësor.
Tashmë, pas dekretit të Presidentit, ndryshimi në drejtimin e ministrisë është formalizuar me dy akte: largimin e Evis Salës dhe emërimin e Klodiana Spahiut.
