Largohet flamuri i Ukrainës në Prishtinë, Rama: Shteti i Kosovës duhet të respektohet

PRISHTINË, 9 gusht /ATSH/ Sot është larguar flamuri i shtetit të Ukrainës që po qëndronte në qendër të Prishtinës, me thirrjen “Free Ukraine”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se shteti i Kosovës duhet të respektohet, duke theksuar se kryeqyteti do të reagojë sa herë që cenohet respekti ndaj shtetësisë së vendit.
Rama ka thënë se Prishtina do të vazhdojë të tregojë solidaritet me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim, por ka nënvizuar se asnjë kauzë nuk mund të përdoret për të nënçmuar Kosovën.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës e njohin mirë rëndësinë e luftës për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet.
“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, i pari i Prishtinës ka theksuar se solidariteti me kauzat e popujve të tjerë nuk mund të jetë në kurriz të respektimit të shtetësisë së Kosovës.
“Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka përfunduar Rama.
Largimi i flamurit të shtetit të Ukranës që po qëndronte në qendër të Prishtinës, me thirrjen “Free Ukraine” erdhi pas deklaratës së presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelensky se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Zelensky deklaroi kështu gjatë vizitës në Serbi dhe takimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuqiq.
“Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, duke përfshirë, pa dyshim, Krimenë. Ky qëndrim i Serbisë nuk po ndryshon, madje as në OKB”, tha Zelensky dje në Beograd.
Kujtojmë që Kosova nga fillimi i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë ka mbështetur shtetin ukrainas. /KosovaPress/