Largohet nga puna punonjësi i policisë, dyshohet se shiti pamjet e vrasësit të arkëtares
Ndërkohë që kritika të shumta kanë vërshuar drejt mënyrës se si është marrë në pyetje, se si është filmuar e më pas shpërndarë materiali me të akuzuarin për disa grabitje e vrasje në Tiranë, një punonjës i policisë është larguar nga detyra. Mësohet se një punonjës i njësisë operacionale, që ka filmuar të dyshuarin për vrasjen e arkëtares brenda në shtëpi duke u marrë në pyetje, është larguar nga detyra pasi dyshohet se i ka shitur tek ABC News pamjet filmike që u transmetuan pak më parë si ekskluzive nga ky televizion.
Nga ana tjetër mësohet se uniformat blu të Tiranës kanë rikthyer Viktor Gushon pikërisht aty ku mori jetën e fundit. Dy furgona të policisë kanë shoqëruar të ndaluarin Viktor Gusho, pikërisht në mesditë, kohë kjo që përkon dhe me orarin e tentimit për grabitje tre ditë më parë në NBG Bank në sheshin “Shtraus”, tek zona e njohur me emrin `Xhamlliku`, në Tiranë. Mësohet se ky hap i policisë është ndërmarrë për të rindërtuar të gjithë skenën e ngjarjes së asaj dite, ku i mori jetën arkëtares Leonora Kaloçi 45 vjeç dhe plagosi rojen e filialit të bankës, Skënder Elmazi, 50 vjeç. Po kështu burime nga policia bëjnë me dije se Gusho ka shpjeguar të gjitha detajet dhe lëvizjet e tij gjatë asaj dite.