E Diel, 1 Nëntor 2026

Latifi takohet me banorët e fshatit Dejnë dhe Dobidol

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka takuar banorët e fshatit Dejnë dhe Dobidol. Debati me banorët e fshati Dejnë është fokusuar kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në fshat.

Kryetar i fshatit Dejnë, Haki Berisha tha se në këtë fshat janë bërë investime të mira. Sipas tij, pavarësisht investimeve në këtë fshat ende ka nevojë të punohet në përmirësimin e gjendjes së rrugëve, si dhe rregullimin e rrjedhave të ujërave atmosferike.

Drejtor i shkollës fillore “Rudolf Walther” Xhafer Berisha, tregoi se investimet që janë bërë në këtë shkollë janë të dukshme. “Por do të ishte më se e nevojshme që të rregullohet rrethoja e shkollës dhe ambientet e jashtme të saj”, tha Berisha.

Kryetari Smajl Latifi, ndërkaq informoi se tashmë është shpallur tenderi për rregullimin e pesë rrugëve lokale për këtë fshat, si dhe hapja e kanalit kullues.“Punimet do të nisin shumë shpejt dhe kjo punë do të përfundojë në afat shumë të shkurtër. Mirëpo, kërkojmë që edhe komuniteti të angazhohet më shumë për marrjen e elementeve të betonit dhe gypave të PVC-së për të rregulluar disa rrugë më të rëndësishme të lagjeve”, tha Latifi, transmeton rajonipress.

Kryetari Latifi ka zhvilluar një takim edhe me banorët e fshatit Dobidol. Ai tha se Komuna edhe në këtë fshat si në shumë vendbanime tjera ka bërë investime për përmirësimin e infrastrukturës rrugore të fushave, kanalizim të ujërave të zeza dhe po planifikohen investime të tjera për vitin 2014. “Ne kemi ardhur që të dëgjojmë nga afër nevojat tuaja, në mënyrë që më pas të bëjmë planifikim sa më të saktë të investimeve komunale.

Nisur nga kërkesat tuaja të vazhdueshme, kemi bërë kërkesë në KRPP për rishikim të kontratës dhe lejimin e punëve shtesë, pasi që disa lagje nuk janë përfshirë në projektin e kanalizimit. Besojmë se kjo punë do të kryhet shumë shpejt. Një nga kërkesat e vazhdueshme të banorëve të kësaj ane është edhe zgjidhja e çështjes së furnizimit me ujë të pijshëm. Në këtë drejtim po punohet dhe projekti është në përfundim, pasi që po punohet në lidhjen e rrjetit me hidrosistemin “Radoniqi””, tha Latifi

Lekë Gashi, banor i këtij fshati tregoi se lagjja ku jeton ka telashe serioze me ujërat atmosferike, pasi që i gjithë uji i kodrave mblidhet në afërsi të këtyre shtëpive.” Nëse hapet një kanal dhe ujit i hapet rruga për derdhej në Drinin e Bardhë, atëherë ky rrezik do të eliminohej tërësisht. Po ashtu rruga e kësaj lagjeje është shumë e dëmtuar dhe nëse sigurohen mjete, do të ishte mirë të bëhej rregullimi i rrugës me kuba betoni ose me asfalt. Ndër shqetësimet tjera të banorëve është edhe mungesa e një rruge për varrezat katolike, pasi që raste gjatë reshjeve të mëdha kur nuk mund të shkohet as për të varrosur të vdekurit, prandaj kemi qenë të detyruar që kufomat e familjarëve tanë t’i vendosim në varrezat e katolikëve në Doblibare”,tha Gashi. Edhe Pajazit Thaçi propozoi që rruga prej lapidarit të dëshmorit Mark Sopjani , deri tek varrezat e katolikëve të shtrohet me kuba betoni. “Nëse komuna siguron kubat ne do të organizohemi që vetë ta rregullojmë rrugën tonë”.

Kryetari Latifi iu ka premtuar banorëve të këtij fshati se rruga nga lapidari deri tek hekurudha, vitin e ardhshëm do të futet në listën e prioriteteve.”Ajo rrugë nuk bënë të shtrohet me kuba betoni për shkak të qarkullimit të kamionëve me pesha të mëdha që kalojnë aty. Ndërsa për rrugën nga lapidari e deri tek varrezat, kemi kodin për furnizim me gypa PVC dhe elemente betoni. Ju duhet të bëni një kërkesë dhe të zotoheni se do të bëni vetë vendosjen e tyre. Kryetari Latifi tha se edhe çështjen e lidhjes me rrjetin e kanalizimit do ta shqyrtojnë inxhinierët e komunës, të cilët do të dalin në terren për të konstatuar gjendjen”, tha Latifi. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›