E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lavrov: Kërcënimet ndaj Iranit janë kontraproduktive

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, theksoi se “agresioni eventual ndaj Iranit do ta shtynte Teheranin që të prodhojë armë bërthamore”.

“Nëse tani, madje edhe pas pranimit të CIA-s dhe zyrtarëve tjerë amerikanë, të cilët kanë theksuar se nuk ka njoftime për atë se kryesia në Iran ka marrë vendimin politik për prodhimin e armëve bërthamore, ndërmerret ndonjë hap kundër Iranit, jam i bindur se një vendim i tillë do të merrej”, tha Lavrov.

Ai më tutje theksoi se ajo që po ndodhë tani në lidhje me Iranin po shtynë shumë shtete të botës së tretë të mendojnë se nëse posedojnë armë bërthamore, atëherë ato nuk do të përballen me sanksione.

Si shembull Lavrov përmendi rastin e Koresë së Veriut, e cila publikisht ka pranuar se posedon armë bërthamore dhe po ndërmerr madje edhe teste.

“Dhe të gjithë ne po sillemi në mënyrë të përgjegjshme dhe nuk po propozojmë bombardimin e këtij shteti. Të gjithë po insistojmë për vazhdimin e negociatave dhe po kërkojmë mënyra, me qëllim që këto negociata të jenë produktive”, tha Lavrov.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›