E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria siriane bombardoi disa lagje në Damask

Trupat e qeverisë së Sirisë kanë përdorë tanke, artileri dhe armatim tjetër, për t’i goditur lagjet Harasta dhe Irbin në Damask.

Këto lagje ishin nën kontrollin e kryengritësve për disa muaj.

Një aktivist opozitar i identifikuar si Raed, tha se Armata e Lirë e Sirisë, ka ndërmarrë një operacion kundër forcave qeveritare, kështu që pastaj ushtria e Sirisë ka goditur me predha, në përgjigje ndaj këtyre sulmeve.

Nga luftimet e së martës ndërmjet forcave qeveritare dhe atyre opozitare në Damask janë vrarë së paku 30 persona.

Forcat e Sirisë, të mbështetura nga tanket, po ashtu, e kanë rimarrë kontrollin në qytetin lindor Deir el-Zour.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, tha se kriza në Siri është “tejet e rrezikshme” dhe potencialisht mund të ketë reperkusione masive globale.

Këto komente ai i bëri derisa anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po e shqyrtonin një deklaratë jo-obliguese, që qeverisë së Sirisë dhe opozitës i bënë thirrje për implementim të propozimeve për ndaljen e dhunës, të bëra nga Kofi Anann, që është i dërguar i OKB-së dhe i Ligës Arabe për Siri.

Rusia ka thënë se ishte e gatshme për ta mbështetur rezolutën, që i përkrahë përpjekjet e Kofi Anannit. Por Moska theksoi se nuk do të pranoj ndonjë ultimatum në adresë të qeverisë së Sirisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›