Lavrov sot vizitë zyrtare në Maqedoni

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Llavrov qëndron sot për një vizitë një ditore në Republikën e Maqedonisë. Lavrov në Ohër do të ketë takim me kreun shtetëror të Maqedonisë.
Krahas takimit dypalësh me ministrin e Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski, ai do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski. Miloshoski dhe Lavrov do të nënshkruajnë Plan për konsultime mes ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve për periudhën 2011-2012.
Ministri rus i Punëve të Jashtme gjatë qëndrimit do të vizitojë edhe ekspozitën me rastin e 150 vjetorit e hapjes së Konsullatës së Rusisë në Manastir që do të mbahet në hotelin "Ineks Gorica", ndërsa do të vizitojë edhe monumentet kulturore-historike në Ohër. Qëndrimi i Lavrovit në Maqedoni është pjesë e turneut të tij ballkanik.
Një ditë më parë Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, u ndal në Beograd ku tha se raportet e Serbisë me Rusinë sa vijnë e forcohen. Ai zhvilloi bisedime me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç. Forcimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Serbisë nuk rrezikon integrimet evropiane të Serbisë, u shprehën Lavrov dhe Jeremiç.
Po ashtu Lavrov deklaroi se Rusia do të mbështesë iniciativën e Serbisë për fillimin e hetimeve nën mandatin e KS të OKB-së për, tregtinë ilegale me organe njerëzore në Kosovë. Lavrov u takua edhe me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç.