Përfundoi regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Në Kosovë mbrëmë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë, duke përfshirë edhe katër ditët shtesë të këtij procesi.
Sipas mediave kosovare të cilat citojnë burime nga Enti Shtetëror i Statistikave dhe organizatave joqeveritare, në këtë regjistrim me shumë pengesa dhe hezitime nga popullata, janë regjistruar më pak se dy milion banorë.
Në vendbanimet e banuara me serb regjistrimi ka qenë i pjesshëm, ndërsa në veriun e Kosovës ky proces nuk është zhvilluar aspak nga serbët, por vetëm nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës.
Sipas afateve ligjore, regjistrimi ka zgjatur 15 ditë, mirëpo për shkak të mungesës së përfshirjes më të gjërë, ai është shtyr për katër ditë, për ti dhënë mundësi të gjithë qytetarëve që të përfshihen në regjistrim. Rezultatet e para jozyrtare të regjistrimit do të shpallen gjatë muajit qershor.
Partitë politike opozitare kanë drejtuar kritika rreth organizimit dhe mungesës së përfshirjes së gjërë të këtij procesi në tërë Kosovën. Për lëvizjen "Vetëvendosje", ky proces, siç edhe kanë pritur, ka qenë i dështuar në aspektin teknik dhe atë politik. Ky proces, do të duhej rishikuar, pasi që është përcjellë me shkelje të kushtetutës dhe sovranitetit.