E Diel, 1 Nëntor 2026

LëNDIMI I NJë DIJEJE Të DëSHTUAR

Historia është një prej shpikjeve më djallëzore të mendjes njerëzore, thonë filozofët skeptikë. Nënë e përvojës, por njëherësh njerkë tinëzare për ta imituar. Ka vetëm dy mënyra të sjelluri me historinë, thoshte Nietzsche: to use or to abuse, ta përdorësh ose ta keqpërdorësh, të dyja përtej së mirës.
Botimi i Enciklopedisë së Maqedonisë dhe sidomos debati popullor rreth saj, që i kapërceu kufijtë e shteteve dhe u kthye në nota proteste e rezoluta, dëshmoi pikërisht këtë të keqe të pashmangshme të historisë, të cilën, në rastin më të mirë, mund vetëm ta përdorësh.
Nëse do të duhej të bëhej një dallim midis sjelljes maqedonase dhe sjelljes shqiptare - meqë e vërteta duhet thënë e shkruar pastër fare - dallimi është vetëm se Shkupi e keqpërdori, kurse Tirana, Prishtina, Tetova, qendrat e mëdha të mërgatës shqiptare në Perëndim, e përdorën atë. E përdorën duke treguar se sa shumë poshtërohen prej shtetit maqedonas.
Debati që ka nisur me sa duket do të vazhdojë gjatë, sepse shumica e pjesëmarrësve në të, ndihen shumë mirë. Madje, kështu ndihen edhe kur thonë se shqiptarët duhet të djegin flamurin e shtetit maqedonas në Shkup apo kur u kujtojnë maqedonasve se duhet të thirren në emrin e të parit të tyre mbretit Samuel (në fakt është gabim, sepse mbreti bullgar që ungjillizoi sllavët e vendosur në Ballkan në shekullin e 9-të quhej Boris dhe mori emrin Mihail, dhe për këtë gjendet një inskripsion njëmijëvjeçar në Ballshin tonë). Si të thuash, ra ky shkas dhe do t‘u tregojmë maqedonasve vendin, sepse kështu jemi të larë edhe me ndërgjegjen përballë dështimeve tona.
Po cilat janë dështimet tona?
I pari: Ndryshe prej Maqedonisë, që paska një Akademi Shkencash e cila mund edhe ta keqpërdorë historinë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, prej dy vjetësh, është kthyer në një klub të rrënuar, ku nuk ekzistojnë më projekte, aq më tepër projekte me karakter shtetëror-qeveritar. Megjithëse të informuar hollësisht për angazhimin e institucioneve shkencore në vendet fqinje në shërbim të politikave kërkimore abuzuese, duke menduar se albanologjia tashmë është një shkencë lokale, një mbetje e së shkuarës, që nuk pajtohet me rrjedhat e vrullshme globaliste, institucionet e kërkimit akademik gjenden në një gjendje të mjerueshme, më keq se kaq madje.
I dyti në radhë: Prej shumë vitesh midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Maqedonisë ekziston një marrëveshje bashkëpunimi. Të lehtësuar prej kësaj marrëveshjeje, studiuesit shqiptarë kanë pasur kontakte zyrtare dhe njohje vetjake me kolegët e tyre maqedonas. Në gjuhën diplomatike shpesh thuhet se shumë probleme zgjidhen në pritje festive, me një gotë verë në dorë. E megjithatë, studiuesit shqiptarë, anëtarë të Akademisë, megjithëse të dekurajuar prej politikës shkencore që ndiqet, gjatë gjithë këtyre viteve nuk arritën dot të krijojnë një korridor të vogël komunikimi sa për t‘u njoftuar se ç‘po bëhej me Enciklopedinë e Maqedonisë, me qëllim që ta parandalonin nëse do të ish kjo gjendje siç raportohet apo zhurmohet? Në Shkup ka akademikë të cilët kanë shkruar me dashamirësi për kulturën dhe letërsinë shqipe, si Ante Popovski. Pra, a kanë miq e kolegë këta akademikët tanë, sikurse kanë në Mal të Zi, ku arkeologët po bashkëpunojnë frytshmërisht me njëri-tjetrin, përmend vetëm njërin prej tyre, p.sh. studiuesin malazez A. Cilikov, i cili pranon në studimet e tij kulturën ilire të periudhës së Komanit në territoret shqiptare të Malit të Zi, ndryshe nga shumë kolegë të tij që mbrojnë tezën e pravosllavizmit ?
Kjo është tejet e rëndësishme, sepse vërtet Enciklopedia e Maqedonisë u hoq nga qarkullimi, por edhe me ndihmën e publicitetin që po i bëhet prej vetë palës së lënduar, edhe sikur dhjetë herë të ribotohet, për studiuesit do të mbetet pika më e rëndësishme e referencës. Gjithnjë do të citohet botimi i parë, ai që u hoq nga qarkullimi, ai që i xhindosi shqiptarët deri në atë shkallë sa të ngrinin botën më këmbë, ai botim që u dha gjithashtu kënaqësi shqiptarëve për të zhvilluar një festival të vërtetë patriotizmi folklorik. Ka ndodhur gjithnjë kështu e ky refren do të përsëritet edhe kësaj here. Dhe sa më shumë që shqiptarët e blasfemojnë atë Enciklopedi, aq më shumë do ta kërkojnë atë, bibliotekat shkencore në Ballkan e në Europë.
Dështimi i tretë: U bë krejt e qartë se ajo që quhet elitë intelektuale dhe shkencore shqiptare në Maqedoni; megjithëse e organizuar në dy universitete në Tetovë dhe në një pjesë të Universitetit të Shkupit; megjithëse me shtyp shkencor dhe letrar, me gazeta e televizione; për fat të keq, është më e papërfillur se klasa politike shqiptare atje, kur e kundërta do të kishte qenë më e përligjur. Ndërsa politikanët shqiptarë në Maqedoni, që nuk janë dalluar aq për profesionalizëm në politologji (me ndonjë përjashtim si A. Xhaferi), janë bërë kusht i qeverisjes së vendit dhe në dekadën e fundme asnjë qeveri e Maqedonisë nuk ka qenë e mundur, të krijohet pa shqiptarët. Përkundrazi, Enciklopedia e Maqedonisë bëhet pa shqiptarët e në dëm të tyre dhe akademikët shqiptarë gjatë gjithë kësaj kohe nuk janë ndier, në mos për tjetër, për t‘u bërë thirrje akademikëve në Tiranë që të jenë të vëmendshëm, sepse diçka e keqe po ndodh.
I katërti dhe më i rëndi: Ka afro dy dekada që flitet për krijimin e një hapësire kulturore kombëtare mbikufitare, meqë kufijtë shtetërorë nuk duan amerikanët dhe europianët t‘i prekin. Botimi i Enciklopedisë së Maqedonisë, pavarësisht prej fanfarave që bien kur hapen panaire librash, pavarësisht mëngjeseve të lutjeve presidenciale në Durrës e Ohër, tregoi se dija albanologjike është jo e paintegruar, por e shthurur, gjithmonë në hall, gjithmonë e padenjë, qaramane si atëherë kur ish-Jugosllavinë e drejtonte Tito, Millosheviç apo edhe tani kur vendi pret fqinjët të votojnë për të shkuar bashkë në rrugën drejt klubit të madh europian. Kjo është një përgjegjësi historike kombëtare për qeverisësit e gjithë kësaj periudhe të lirisë së ndritur të kërkimit.
Dhe dështimi më i fundmë: vetë mënyra si po zhvillohet debati shkencor këto tri javë. Në vend që të kërkohen rrugët se si dhe sa mund të qortohet gabimi; në vend që të kërkohet me ngulm që të paktën në botimin e dytë shqiptarët t‘i shkruajnë vetë zërat që kanë lidhje me historinë e tyre; në fakt po luhet loja e larjes së duarve: unë nuk dija gjë, e kam vetëm formalisht emrin në redaksi, mua nuk më ka ftuar njeri për të marrë pjesë në përgatitjen e Enciklopedisë, ne nuk ka pyet njeri, ne kërkojmë që Ministria e Jashtme të ndërhyjë nga Tirana etj., si këto.
Po nëse shkencëtarët, njerëzit e dijes, presin që maqedonasit bujarë t‘u thonë: po ku jeni, o miq, se nuk po dimë si t‘i quajmë shqiptarët: arnautë, shiftari, planinci, atëherë kjo do të thotë se dështimi do të jetë strategjik. Sepse askush nuk e ka bërë deri më sot (nëse përjashtojmë uljen solemne të flamurit britanik nga Hong Kongu disa vjet më parë), që t‘i thotë tjetrit: ja ku i ke të drejtat, merri, pse nuk i ke përdorur deri tani!
Shkëmbime delegacionesh, deklarata, nota diplomatike, polemika, emisione televizive, thirrje të pafundme në shtyp: të gjitha këto janë nderi i fundmë që shqiptarët po i bëjnë Enciklopedisë së Maqedonisë: publiciteti falas. Dhe, mbi të gjitha, në opinionet ndërkombëtare edhe shqiptarët nuk po tregojnë ndonjë ndryshim thelbësor se janë të gatshëm të mos e bëjnë gabimin e maqedonasve, djallëzimin e tjetrit. Nëse këtë nuk e përmend kush sot, nesër do ta përmendin me siguri, sapo të jetë tejkaluar gjendja e tashme, që shqiptarët janë lënduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›