"Jeni keqkuptuar! Traktati i Lisbonës nuk e zgjeron BE-në"
Presidenti çek zhvilloi dje takime zyrtare edhe me kryeministrin Sali Berisha si dhe me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Biseda u përqëndrua tek niveli i mirë i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe tek nevoja për konsolidimin e mëtejshëm të tyre të aspektet politike dhe ekonomike. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin çek me zhvillimet në Shqipëri, me luftën e pandërprerë kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe me ecurinë e reformave në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në potencialet e mëdha që ka vendi ynë në turizëm, energji, miniera. Pavarësisht ratifikimeve, traktati i Lisbonës nuk është e thënë se do të mundësojë hapjen e dyerve të Bashkimit Europian për shtete të reja. Ky konstatim u bë dje në Tiranë nga Presidenti çek, Vachslav Klaus. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai ka lënë të kuptohet se është skeptik ndaj këtij dokumenti, pavarësisht se dy ditë më parë nëpërmjet referendumit Irlanda e votoi "pro". "Është e pamundur të ratifikohet ky traktat, sepse do të diskutohet dhe debatohet në Gjykatën Kushtetuese të republikës çeke, ashtu dhe në institucionet përgjegjëse të saj. Kështu, edhe sikur unë të doja ta nënshkruaja traktatin, nuk do të mund ta bëja atë. Këtu kemi një keqkuptim, dhe një keqkuptim tragjik, sepse nënshkrimi i traktatit të Lisbonës nuk është e thënë se do të zgjerojë Bashkimin Europian", nënvizoi Presidenti Klaus. Traktati i Lisbonës, si korniza e re ligjore e bllokut, pason përpjekjet e dështuara europiane për të miratuar një kushtetutë në vitin 2005. Pak ditë më parë irlandezët e votuan për herë të dytë këtë traktat. Pas miratimit popullor aty, vendet ku ai ende nuk është ratifikuar janë Polonia dhe Republika Çeke. Ndërkohë, dje, zyrtarët më të latë të shtetit, Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e kanë vlerësuar votën "pro" të popullit irlandez.
E.Gj.
E.Gj.