E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ledia Dushi ; Vuajtjet e një rebeleje



Pa ta ndalni vegimin për një çast, çfarë të del përballë 33 poezive të Ledia Dushit është: shpirti si zog në kafaz, në rrekje për t’u çliruar prej kockash fizike të qenies sonë. Po të kërkosh shëmbëllimin që përftohet pas këtyre 33 poezive, filozofia është: rebelja dhe fjala në moshën e Krishtit. Nëse nxitesh të blesh librin e poetes e të kesh frymë për të lexuar 33 poezi në gegnishte nuk do të marrësh asnjë përgjigje veç rënies në kurth të një mendimi të gjatë, mjaft të mundimshëm që ngjan me të mundshmen e Kiplingut; “If” - si përgjigje natyrore qysh në titullin e librit: “Me mujt me fjet”... Ledia Dushi ishte vetëm njëzet vjeçe, kur ajo botoi librin e saj të parë me poezi, “Ave Maria bahet lot” (1997), e cila menjëherë i solli asaj njohjen dhe çmimin kombëtar për poezinë më të mirë të vitit, “Pena e Argjendtë” (1998), akorduar nga Ministria shqiptare e Kulturës. Përmbledhja e saj e dytë, “Seancë dimnash” (1999), përsëriti thelbin poetik të mëparshëm, strukturuar rreth një gjendjeje krejt të veçantë lidhur me fëmijërinë, dashurinë, dëshirën, përjetësinë... Ky është prezantimi mediatik që iu bë kësaj poeteje nga shtëpia botuese “Ideart”, në ditët e panairit të librit. Asnjë promocioni tjetër nga jeta e një libri që nuk e bën aktive poeten në jetën sedentale të kryeqytetit.

Por, sot, në klubin “Andrra e jetës” nis përpjekjen e parë frymore poezia më e re e Ledias, shoqëruar me grafikë bardh e zi, të realizuar si gjendje të shkëputura nga i vëllai i saj, Franci.

Vetë poetja ka mundur të belbëzojë vetëm kënaqësinë e fshehur të një lënde të re poetike, edhe pse thelbi i heshtjes së saj apo e një truku mënjanues është si evidencë kohe. Ashtu siç na lidh edhe me poezinë.

“Me mujt me fjet’..../me rikthimin e shpendëve” - është një manifest i fshehur i shpirtit dhe i arsyes. Dy nxitjet nga niset poetja për ta rikthyer vetvete në një cikël të paimagjinueshëm; bashkëjetesën e reales me ëndrrën. Është një ëndërr si përtej jete që i shkon përfytyrimit si në një skenë teatri. Fuqia që merr me fjalën poetja është kthimi tek e brendshmja e vetes, zhytet aty, mat kohën, hesht, zhytet sërish. Janë stinë të gjitha këto përsiatje që ngasin absurdin, duke ndier dhe humbjen e shpresës, si e vetmja mundësi prej nga mund të na vinte shpëtimi. Poezia e Ledias merr përsipër shqetësime të të dy kohëve. Përfshirja e saj shpirtërore brenda një vicioziteti, gati hermetik, e bën më të gatshme vëmendjen për t’i hyrë pa barriera goditjes së murit. Kjo arsye pse rebelohemi, pse ngremë kështjella, pse poetja e zhyt veten në mënyrë të vazhdueshme, pas çdo shkaku, në ujëra, në liqen – si marrëse dhe mbartëse fuqish.

Poezitë nuk kanë tituj, nuk shkaktojnë lojë fjalësh, por mendimi është britmë migjeniane. Poetja e njeh rrënjën dhe thellësinë nga lindin vargjet dhe shpërthejnë ndjesitë. Është një përvojë poetike, por dhe një ndjenjë e lirë për të rrëfyer në vete shpirtin. Kjo është koha e stinëve se si ndjesitë ndryshojnë gjendjet. Ndërsa parakoha është më e sigurt për poeten, si një çështje faktologjie e parathënë deri në çastin që lind.

Ky është litari që lidh gjithë librin deri në “marrjen nga ujërat”. Është një përmbysje e hartës antropologjike - çfarë ndodh brenda qenies kur zotat e kanë harruar tërbimin! Ledia godet në dy gjuhë: atë biblike dhe fjalën si shenjë për të komunikuar. Të dyja kanë të njëjtin fat, që i përgjigjen shpirtit dhe arsyes.

Në të parën poetja ndjek frymën, përgjigje për të gjitha misteret.

Pothuaj çdo poezi ngrihet nën frymë dhe ndjek “rrugën e gjarpnit”, si domosdoshmëri, si një zanafillë diellore dhe tokësore ku mbështetet lënda shpirtërore e Ledias.

Për ata që gjallojnë në heshtje, duket se është uni i poetes për t’u shfaqur, për të mos iu dorëzuar asaj që është tokësore, e vdekshme. Por me “hile” ata që gjallojnë dhe mbajnë dy interpretime. Shtëpia që është mbi ujë, sa e pasigurt është ana fizike e jetës, ajo që duhet dhe që në detaje përbën ekzistencën tonë.

“Me mujt me fjetë” është si “me mujt me vdekë” si vegime shkatërrimi, përmbytjeje, fundi. Zgjimi është procesi natyror si jeta e pemëve. Poezia është në gjurmë hermetizmi, ku himnizimi i vdekjes tejkalon pashmangshëm paranojën e frikës, anktheve të shndërruara në një forcë të pazakontë përballimi. Vdekja është terrori i frikës, jo i arsyes që diku na pret si kujtesë “me u shlirue”/ Ashtu si shpirti kockash me u shlirue”.

Poetja e shqetësimeve shpirtërore tregon çfarë e torturon sot - ikja nga ndjesitë reale. I ikuri është njësoj si i vdekuri. Këtij largimi i përgjigjet kujtesa, vdekja – si në një cikël biblik për të dëshmuar se nuk e kemi marrë ende lirinë. Poetja “gabon” kur tërheq vëmendjen tek vetja. Nuk jepet ta quajë dhimbje as mëkat, të natyrës njerëzore - por e mbështjellë nga kompleksi i një poezie të fortë, rrashti i ndjesive të saj thuaj është “dimër”.

Është një marrëdhënie e re, që mendojmë se na çon në rishqyrtimin e përjetimeve. Ajo e lëshon zemërimin e saj, si romantikët mbi natyrë. Stinët, dimri, shiu, marsi, bari shndritja e diellit, vezullimet, toka e vdekshme, ujërat... ndërtojnë një mizanskenë gati absurde duke zotëruar të gjitha mjetet e mundshme gjuhësore për veten, për të rafinuar shpresën dhe ngadhënjimin. Në mënyrën diskrete poezia nuk del nga brendia e unit, si jetë faktike që çon në riciklimin e përjetimeve.

Stinët që vendosen në poezi u përgjigjen përsiatjeve të vazhdueshme. Kërkimi i poetes nuk është asgjë më shumë se vetje. Pemët, era, liqeni, ajri i të ftohtit, dhimbjet janë prani dimëror. Ndërsa poezia shfryn tërbimin, kulmet nuk ngjajnë me vdekjen dhe pse vjen si tërbim në klithmë të vargjeve. Poetja shpërfill gjendjet psiko-fizike duke i përcjellë thjesht si procese stinore. Ky simbolizëm është i shpeshtë sa të çon në pyetje absurdi mbi mundjen e shpresës - si gjallim i fundit.

Tendencës së gjuhës, fjalës (edhe pse qartë qëllimshëm) i jepet justifikim. Ledian nuk mund ta shprehësh jashtë këtij konteksti stilistikor. Në të kundërtën pasohen vargje të tjera me një përngjasim të mprehtë ku gjen shpëtimin prej frymës.

Në një sens biblik fryma udhëheq; ngushëllon dhe është njohje, që çon në zbulim. Gjithë lufta i drejtohet vetes, njeriut, qenies - për ironi si ekzistencë jo e përkryer, por e rebeluar. Kjo mjafton si shpërthim “hakmarrjeje” mbi të gjitha dobësitë dhe mbartjen e xhunglës së mbijetesës. Vdekja, gjarpnimi, fryma si gjallim – janë shëmbëllime që i japin gjendjes dallimin tek arsyeja. Pse bëhet kaq e domosdoshme kjo apologji psikike?

Zotërimi i kohës, çastin që jepet krejtësisht si zgjedhje dhe vazhdimësi jete kërkojnë një arsye më të thellë se lëshimi i britmave.

Nga tërheqja, evokimi i heshtjes - si harresë për kohën - poetja çliron ngazëllim ëndërrimtar duke predikuar mundimin e gjatë për të mbërritur tek paqja me vetveten.

Poezia këtu ngjan me ëndrrën, ëndrrën ndezëse madje. Ndërsa shpresa merr një kuptim të ashpër, bëhet dhunuese e pritjes. Po ashtu, ndjesitë e optimizmit hyjnë “dhunshëm” si mënyrë e vetme, rebele mbi heqjen duke marrë frymë interpretimi, gati zotërues. Kjo pritje e ashpër, qoftë edhe si dështim, i mjafton të marrë kuptimin e pranimit, si krijim.

Çfarë mbërrin si revoltë padurimi është vegimi, qartësia e futjes së shpirtit si në një kafaz në mes kockash. Prandaj arsyeja shpirtërore vlen si zbulim dhe të çon në vetëdijen e qenies tënde si mish e shpirt. Si zogu në kafaz dhe shpirti, si i parashkruar, në paralindjen tonë është i destinuar në liri qiellore për të mbijetuar në shtegtime stinësh. Si e duam mund ta bëjmë botën, është luftë e kotë për poeten, mbi ç’është krijuar nën diell, si vdekje e njëjtë.

Ndërsa jemi në kulm të llavës shpirtërore përplasja e poetes e kalon cakun e rebelimit, në vuajtje gati të amshueme. Është endja rraskapitëse për të gjetur paqen. Do të endet e do të lodhet e në fund sheh se është e zbrazët duke kërkuar dritën. Është kërkimi i vazhdueshëm i njeriut për dritën. Dhe poetja kërkon të gjejë realitetin. Ikjet e saj sugjerohen si mit pagan, kur u lutet zotave, përballë nevojës për t’iu shmangur vuajtjeve, rebelimit të detyrueshëm, duke ndier kapërcimin mbinjerëzor – në shpirt të dreqit. Arena mistike tërheq atje ku sos dhe durimi – në pamundësi për t’i kryer të gjitha misionet si njeri, për të kuptuar më vonë të tjera lartësi kur jeton sa në moshën e Krishtit.

Rruga e gjaku që pastron; kufiri i vdekjes si shpëtim; lidhja mes, nën e mbi tokës; drita si vezë shpendi; sa shumë zotave u besojmë; toka lëshon gurë për dashni; ndërsa qielli të nxjerr nga asgjë e pasigurt… janë sfida shpirtërore dhe psikologjike që e tejkalojnë jetën tonë, që shpirti të ketë lirinë qiellore. Poetja dëshmon fuqinë e ndërgjegjes, atij angazhimi të kulluar shpirtëror se lirina na humb sa jemi gjallë. Se dëshira e jetës është pamundësi, se mbijetesa është si dashuri ku shpirti humb duke na përgatitur për kohët e fundit - kur ujërat na marrin dhe ne duhet të përligjim rilindjen tonë, shpëtimin. Më pas “me mujt me fjet’…” në frymë diturie.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›