E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohet harta e H1N1 ; Virusi shtrihet në 15 qytete të vendit



Virusi pandemik A/H1N1 ka shtuar rastet e prekura si dhe ka zgjeruar shtrirjen gjeografike. Rastet e raportuara së fundmi në Institutin e Shëndetit Publik tregojnë për një shtrirje territoriale më të madhe të rasteve në vend. Aktualisht, H1N1 po qarkullon në 15 qytete të vendit, ku kryeqyteti shënon rastet më të shumta. Të dhënat e buletinit epidemiologjik deri ditën e enjte tregojnë se janë marrë 1878 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15-24 vjeç ku dhe vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin A/H1N1 deri të enjten është 190. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 21 vjeç, ndërsa e rasteve të javës është 17.5 vjeç. Shumica dërrmuese e rasteve janë të konfirmuara në Tiranë. Përveç virusit të ri pandemik, çdo ditë konfirmohen raste me virusin e gripit të zakonshëm stinor, çka dëshmon qarkullimin e përbashkët të të dy viruseve në popullatë. Rreth një e treta e rasteve të konfirmuara laboratorisht janë me gripin A stinor. Shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë të lehta dhe mesatare. Është regjistruar një rast i rëndë (sindrom i rëndë respirator akut), i shtruar në Spitalin Pneumoftiziatrik dhe një rast tjetër i rëndë me gripin stinor i shtruar në Spitalin Infektiv, QSUT.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›