E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ledia Sulaj zgjohet nga ëndrra

Teknika, plastika dhe aftësia në interpretim, e shtynë koreografin Ilir Kerni t'i besonte rolin kryesor tek "Arrëthyesi".

Në këtë bisedë, balerina 20-vjeçare tregon si e realizoi rolin në një muaj, përvojën me Kernin, sakrificat që ka bërë për baletin, dëshirat që shtohen dhe skenat e huaja

Baleti "Arrëthyesi" i Çajkovskit, me regji dhe koreografi të Ilir Kernit, pati vëmendjen e gjallë të publiut për afro 2 orë, në sallën e mbushur plot të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Skenografia e kujdesshme deri në detajet e Zorz Drausnikut dhe ngjyrat e kostumeve të Elva Bellës, flisnin të njëjtën gjuhë në skenat që ndërroheshin natyrshëm.

Të gjitha këto elemente rrëfenin për një punë të saktë nga grupi që mori përsipër realizim e këtij baleti. Po ashtu, edhe figuracionet skenike harmonike të solistëve dhe interpretimi cilësor i të rinjve.

Pjesët më të bukura i takuan aktit të dytë të shfaqjes, Valsit të Luleve, Valsit të Flokëve të Borës, Valleve arabe, Kineze, si dhe një "Pas-de-Deux" të interpretuar nga Enada dhe Gerd Vaso, që të shoqërura nga notat më të bukura të Çajkovskit dhe interpretimi i shkëlqyer i solistëve, i takonin edhe veshjet më të veçanta të gardërobës dhe gjetjet skenografike.

Me baletet "Arrëthyesi" dhe "Coppelia", të realizuar brenda një viti, të dy me një numër masiv balerinësh dhe të dy të ngritur mbi subjekte përrallash, magjie dhe ëndrre, koreografi Ilir Kerni e ka joshur spektatorin, ka gjallëruar me dinjitet skenën e Teatrit të Operës dhe na lë me shpresë, besojmë me më shumë shpresë e presin balerinët e rinj, për një bashkëpunim tjetër vitin e ardhshëm.

Mëngjesi pas premierës për Ledian, balerina kryesore e "Arrëthyesit", është si i çdo dite, një kafe më shokët e Akademisë së Arteve, për të folur për profesorët, lëndët e mërzitshme dhe ato që u pëlqejnë, në vitin e tretë koreografi.

Klara është zgjuar nga ëndrra e rolit të parë në skenën e Teatrit të Operës, magjia e duartrokitjeve, fjalëve të përzemërta të profesorëve në passkenë, apo "bravoja" e Kernit, i pari që i ka dhënë autograf balerinës 5-vjeçare.

Edhe pse e përkëdhelur nga suksesi i natës së parë të baletit, Ledia Sulaj duket më këmbë në tokë kur tregon për punën e saj dhe për rolin që i fali kënaqësinë e të vallëzuarit për afro 2 orë me partnerë si Ilir Kerni dhe Gerdi Vaso.

"Duke punuar, arrita deri këtu, jo falë fatit", thotë ajo, aspak e penduar që qysh e vogël ka hequr dorë nga lojërat e moshës, dëshirat fëmijënore, por ka zgjedhur të ushtrohet çdo ditë, të lodhet e të djersijë, prita të natyrshme këto që rruga e artit i vë përpara artistëve të rinj që kalojnë për aty.

Ledia Sulaj ka qënë në skenë me role të dyta tek "Bajadera", me koreografi të rusëve Maksim dhe Evgjeni Vallukin, në rolin e engjëllit tek "Krijimi" me koreografi të Toni Kandeloros, pjesë e suitës së baletit tek "Rajmonda dhe Spartaku" nga Leonard Xhokaxhi, tek "Carmina Burana" dhe "Tirana By Night" nga Arjan Sukniqi dhe dy vitet e fundit, tek "Sylphide" dhe "Coppelia" nga Ilir Kerni.

Një rol kryesor në Teatrin e Operës në moshën 20-vjeçare. Tani që ndodhi, është ëndërr?

Ka qenë gjithmonë një ëndërr. Ndoshta kjo ëndërr u realizua këtë vit. Besoj se e meritoj sadopak. Në bazë të punës dhe sakrificave që kam bërë, shpresoja që një ditë do të bëja një rol të parë.

Është kënaqësi dhe privilegj i madh që një mjeshtër si Ilir Kerni ma besoi mua këtë rol dhe për këtë e falënderoj shumë. Kur kam qenë e vogël profesorin e kam pasur idhull dhe madje i kam marrë edhe një autograf.

Kam qenë në klasën e pestë, nxënëse në Shkollën e Baletit, e kam parë në rrugë, përpara Piramidës me një biçikletë, e kam ndaluar dhe i kam thënë: "Profesor të lutem mund të më japësh një autograf?" dhe ai m'u përgjigj: "Patjetër". Kur punuam këtë vit bashkë ia kujtova këtë histori.

Çfarë ke të freskët në mendje nga nata e premierës?

Kam pasur shumë emocione, jo nga frika se nuk do të dilja mirë, por ishin një shtysë që çdo gjë të dilte perfekt. Besoj se shkoi mirë. Njerëzit më përgëzuan dhe shpresoj t'u ketë pëlqyer.

Kush të priste pas skenës?

Herët e tjera që kam kërcyer, përveçse prindërve dhe kolegëve të mi nuk ka pasur të tjerë. Ndërsa mbrëmë erdhën mjeshtra të baletit dhe kjo për mua ishte e veçantë që më bëri të ndihesha shumë mirë.

U ndjeva e vlerësuar se aty ishte mjeshtri Agron Aliaj, drejtoresha e shkollës së Baletit Blerina Arbana, ishin të gjithë pedagogët e shkollës së Baletit që më kanë rritur gjatë 8 viteve të shkollës.

U ndjeva mirë edhe nga përshëndetjet e publikut, ata të cilët nuk i shohin detajet e intepretimit. Kishin kuptuar të gjithë fabulën dhe historinë që unë tregova nëpërmjet lëvizjeve koreografike.

Pak më parë përmende sakrificat. Cilat janë ato të Ledias?

E kam filluar baletin që në moshën 5-vjeçare. Që në atë moshë nuk luan me shokët e tu të pallatit, por të duhet të shkosh në një sallë për t'u ushtruar, ku të lodhesh e të djersitesh.

Edhe gjatë verës, ndryshe nga fëmijët e tjerë që shijojnë pushimet, je gjithë kohës në aktivitet, sepse po të heqësh dorë një ditë, zëre se e ke lënë një javë baletin. Këto janë sakrificat që në vegjëli, më pas ka dhe sakrificat materiale dhe ato shpirtërore. Arti ka pak vuajtje, ti mendon që të ecësh përpara, por ka diçka që të pengon. Është një rrugë paksa e vështirë për ta vazhduar.

Të ka ardhur ndonjëherë keq dhe a ka pasur çaste pendimi?

Jo nuk jam penduar. Sot them shyqyr që i kam bërë sepse duke punuar, arrita deri këtu, jo falë fatit, por falë punës.

Nga një muaj leksione të Kernit në sallën e provave, çfarë ke mësuar?

Është viti i tretë që profesori vjen këtu dhe në dy baletet e tjera, tek "Sylphide" dhe "Coppelia", unë kam marrë pjesë me role të dyta. Mezi e prisja që ai të vinte këtë fund viti sepse për mua janë të rëndësishme ato mësime që na jep.

Ai punon shumë me detajet dhe janë ato që të bëjnë të ndryshme nga një balerinë tjetër. E dëgjoja me kureshtje në punën me duart e balerinave, sigurisht edhe me këmbët, por ato i kemi më shumë në dorë ne, sepse tashmë jemi formuar, si dhe për punën interpretuese të rolit.

Përse ta besoi ty rolin?

Profesori ka disa kritere përzgjedhëse. Besoj se tek unë ka parë anën teknike, plastikën, muzikalitetin dhe aspektin interpretues. Ai më ka parë edhe gjatë dy viteve të shkuara dhe mendoj se këto ishin kriteret që e shtynë të besonte se unë mund ta realizoja rolin. U ndjeva mirë që mbeti i kënaqur. Pas shfaqjes, më përqafoi, më dhuroi një tufë me lule dhe më tha "ishe shumë mirë".

Çfarë kërkonte Kerni nga personazhi i Klarës?

Nuk donte gjëra standarde që të ekzekutoheshin si veprime të thjeshta. Duke më shpjeguar rolin më tha: "Ti duhet të jesh një vajzë e vogël, futu thellë brenda vetes tënde dhe gjej diçka që bëjnë fëmijët.

Duhet të luash si një fëmijë". Gjestet më vinin natyrshëm nga brenda vetes. Ditët e tjera të shfaqjes publiku nuk do të shohë të njëjtat gjeste sepse ato janë improvizime të momentit dhe çdo natë janë të ndryshme. Këto të fusin më tepër brenda rolit dhe të çlirojnë kur e kërcen atë.

Si arrihet njëkohësia e lëvizjeve me balerinët e tjerë?

Mundohem që të punoj fort në prova dhe jo gjithçka të jetë e rastësishme. Me bisht të syrit ndjekim njëri-tjetrin që lëvizjet të jenë të njëjta me trupën. Kjo është edhe një nga meritat e profesorit. Të mbajë njëlloj të gjitha linjat e trupës, lëvizjet e duarve, të kokës.

Meqë biseda u nis me ëndrrat. Cili është teatri ku ëndërron të kërcesh?

Skena shqiptare, Teatri i Operës dhe Baletit. Kam kërcyer edhe në teatro të huaj, në Vjenë, në Itali. Por, dua të jem e njohur në teatrin e vendit tim. Këtu ndjej një kënaqësi shumë të madhe dhe shpresoj ta vazhdoj edhe me role të tjera.

Çfarë i mungon skenave të huaja?

Më janë dukur më të ftohta. Edhe publiku, ndoshta pak më elitar, është më i ftohtë. Kurse, teatri ynë ka atë ngrohtësinë që është si një magji për mua.

Nuk janë ndonjëherë të tepërta duartrokitjet?

Ka pasur raste që nuk dëgjohet muzika nga duartrokitjet, por gjithsesi të bëjnë të ndihesh mirë, shumë ngrohtë. Publiku është i mrekullueshëm këtu tek ne.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›