E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Meta: Rama dhe Berisha të ulen në tryezë

Zv.kryeministri Meta u shpreh i gatshëm që të negocionte edhe vetë me liderin e PS-së

TIRANË - Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje se është i gatshëm që të negociojë me liderin e Partisë Socialiste, Edi Ramën, për të zgjidhur krizën politike që është krijuar në vend.

Në një prononcim për mediat, Meta theksoi se gatishmëria e tij nuk do të mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave, por edhe në ndërmarrjen e hapave konkretë për të bashkëpunuar me opozitën.

Por, për arritjen e një kompromisi të tillë, sipas tij, kërkohet vullneti i të gjithë aktorëve politikë të përfshirë në çështjen e krizës politike midis mazhorancës dhe opozitës për hapjen e kutive të votimit.

"Unë jam i hapur në çdo moment dhe të jeni të sigurt që mazhoranca është shumë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, absolutisht dhe me veprime konkrete dhe jo thjesht vetëm me deklarata, por natyrisht që duhet vullnet nga të gjithë, sepse e theksoj edhe një herë, momenti është i rëndësishëm dhe historik dhe duhen lënë gjërat e vogla përpara aspiratës kryesore që bashkon shqiptarët. Integrimi nuk i ndan shqiptarët në të majtë e në të djathtë", - tha dje Meta.

Gjithashtu, përveç gatishmërisë së tij për të gjetur gjuhën e kompromisit me liderin e opozitës, Meta tha se edhe vetë Berisha duhet të arrijë një kompromis politik me Edi Ramën. Sipas Metës, Berisha do ta ftojë edhe në ditët në vazhdim kreun e së majtës, Rama për të bashkëpunuar midis tyre, veçanërisht për proceset integruese.

"Pa asnjë diskutim që çdo takim mes Kryeministrit Berisha dhe z. Rama është shumë pozitiv dhe z. Berisha ka ftuar edhe dje, dhe jam i bindur që do ta ftojë vazhdimisht z. Rama, si kryetar i Partisë më të madhe opozitare, për të bashkëpunuar në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Jam i bindur se qeveria do të ecë në këtë drejtim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës dhe shpresoj që edhe opozita të kontribuojë sepse i ka të gjitha mundësitë për të dhënë kontributin e saj në këtë proces shumë të rëndësishëm për të gjithë vendin", - u shpreh ai.

Duke e cilësuar si një moment mjaft të rëndësishëm, plotësimin e pyetësorin nga ana e administratës shqiptare, ministri i Jashtëm, Meta, kërkoi që në këtë proces të përfshihen të gjithë aktorët e klasës politike shqiptare, të cilët, sipas tij, duke të anashkalojnë retorikat luftarake dhe të përqendrohen te procesi integrues i vendit.

****************************************

PS-Metës: Nëse doni të zgjidhni krizën, hapni kutitë

TIRANË - Partia Socialiste nuk beson në seriozitetin e ftesave të drejtuara nga ana e mazhorancës. Kështu pas ftesës për tryezë nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, Partia Socialiste ka reaguar, përmes deputetes së PS-së, Olta Xhaçka, e cila është shprehur se nëse mazhoranca është e interesuar të zgjidhë krizën, atëherë ajo duhet të pranojë të hapë kutitë e votimit.

"Ilir Meta, pasi tradhtoi zemrat e 83 mijë shqiptarëve që në zgjedhjet e 28 Qershorit votuan kundër Sali Berishës, vazhdon të zhgënjejë të gjithë shqiptarët, të cilët ndryshe nga qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, do të mbeten të vetmit në Europë që nuk do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

Ky njeri, që është sot paterica që mban Sali Berishën në pushtet, duhet t'i shpjegojë të gjithë shqiptarëve pse në datën 19 dhjetor ata nuk do të mund të lëvizin lirisht në Europë, pse Shqipëria ngeli në klasë dhe do të jetë e fundit që do të liberalizojë vizat me Bashkimin Europian.

Dhe nëse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë vërtet të interesuar për të zgjidhur krizën, ku vetë Ilir Meta dhe Ministrat e partisë së tij janë aktorë kryesorë, duke rritur çmimin e energjisë dhe koston e kujdesit shëndetësor, le të hapin kutitë dhe të zbardhin të vërtetën e 28 Qershorit.

Pa hapur kutitë, ku këta zotërinj mbajnë fshehur krimin elektoral të 28 Qershorit, nuk ka zgjidhje, por vetëm zgjedhje. Të hapin kutitë, ose të largohen", - tha dje Xhaçka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›