Goditja e gazetarit, mbyllet hetimi për Taçin
Bashkë me Rezart Taçin, prokuroria dërgoi për gjykim nipin e tij si dhe një shofer të kompanisë "Armo"
Tiranë- Rezart Taçi ka qëlluar mbi gazetarin Mero Baze për shkak të detyrës. Ky është konkluzioni i përfundimit të hetimit të Prokurorisë së Tiranës, ndaj biznesmenit të naftës si dhe Irgen Selfos dhe Bledar Lilos. Përkundër deklaratave të bosit të naftës, prokuroria e Tiranës pretendon se ka vërtetuar krejt të kundërtën mbi dhunën e ushtruar ndaj Mero Bazes në një nga lokalet e kryeqytetit.
Pas më shumë se një muaj hetimesh, prokurori Gjergji Tako, i ka dhënë fund mbledhjes së fakteve dëshmive dhe provave mbi këtë ngjarje duke e dërguar atë për gjykim, në Gjykatën e Tiranës
Në bazë të provave të siguruara dhe dëshmitarëve në vëndgjarje, prokuroria është bindur se ka qenë pikërisht biznesmeni Rezart Taçi që ka qëlluar mbi gazetarin në një nga lokalet e kryeqytetit.
Megjithëse në daljet e tij publike biznesmeni ka hedhur poshtë këto fakte të denoncuara fill pas ngjarjes, në kërkesën për gjykim të përfunduar nga prokurori i çështjes sqarohet se ngjarja e ndodhur më 2 nëntor në një lokal të bllokut ka ndodhur pas publikimit të fakteve komprometuese ndaj biznesmenit.
Sipas prokurorisë, Rezart Taçi, së bashku me Irgen Selfon, nipin e tij, si dhe shoferin e kompanisë, Bledar Lilo, kanë qëlluar mbi gazetarin Baze dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas prokurorisë, pas një debati me gazetarin Mero Baze, tre agresorët e sulmuan atë të fundit duke e goditur me sende të forta.
Rreth orës 23:10 minuta, në kohën që Baze kishte vetëm 15 minuta që kishte mbërritur dhe po priste ushqimin e porositur, ndaj tij kanë ardhur një sërë sharjesh dhe ofendime nga biznesmeni Rezart Taçi. Ky i fundit ishte drejtuar drejt tavolinës ku ishin gazetarët Andi Bushati, Arban Hasani dhe Mero Baze, për të sqaruar ofendimet e ndërsjella mes tyre.
Ndërkohë, ndaj gazetarit Baze janë vërsulur me gjithë forcën e tyre dy shoqëruesit e biznesmenit Taçi duke e qëlluar me grushte për të cilat ka marrë edhe mjekimet e nevojshme.
Prokurori i çështjes, pas analizimit të një sërë faktesh parashtron si motiv të dhunës së ushtruar publikimin e disa shkrimeve në të përditshmen "Tema" dhe emisionin "Faktori plus". Sipas prokurorisë, kanë qënë këto shkrime të publikuara nga Mero Baze motivi i ushtrimit të dhunës ndaj tij.
Kështu pas paraqitjes së fakteve dhe dëshmisë së katër personave në vendngjarje, si Andi Bushati, Arben Hasani, Ilir Bushati dhe Klemend Marku, prokurori gjen fajtor të pandehurit Rezart Taçi dhe dy ndihmësit të tij. Në bazë të hetimeve një mujore është provuar plotësisht vepra penale e "Goditjes për shkak të detyrës" e parashikuar nga neni 237-25 i Kodit penal.
Kështu me dërgimin e kërkesës për gjykim pritet që javën e ardhshme të nisë procesi gjyqësor ku Rezart Taçi dhe dy bashkëpuntorët e tij rrezikojnë dënimin nga tre vjet heqje lirie deri në gjobë për shkak të dhunës së ushtruar ndaj Mero Bazes më 2 nëntor në një nga lokalet kryesore të kryeqytetit.