E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët e krimit, personazhe në video-lojën amerikane

Video-loja "Grand Theft Auto IV", shitjet e së cilës duket se do të tejkalojnë filmat më të mëdhenj amerikanë, kësaj radhe përmban edhe "aktorë" virtual shqiptarë, avatarë kriminelë që terrorizojnë rrugët e qytetit virtual Liberty City (mendo New York).

Karakteri kryesor, Niko Bellic, është një imigrant ballkanas, i cili i nxitur nga kushëriri i tij, Roman, mbërrin në Liberty City që të ndjekë "ëndrrën e tij amerikane".

Roman-i i kishte premtuar atij një jetë prej qumështi dhe mjalti në Liberty City, por pasi arrijnë atje, ai kupton se në të vërtetë kushëriri i tij ishte një taksist i thjeshtë, që jetonte në kushte të këqija dhe i kishte shumë borxhe gangsterëve lokalë.

Karakteret shqiptare në këtë video-lojë janë Bledar Morina; fajdexhi shqiptar i cili operon në Broker; Dardan Petrela, ndjekës i borxheve, të cilin Niko e vret me thikë dhe kështu e liron Roman-in nga borxhet që ai u kishte shqiptarëve. Gjithashtu këtu luan edhe karakteri Kemal Vulaj, i cili është bashkëpunëtor i dy karaktereve shqiptare të përmendura më herët.

Video-loja është me plot dhunë, ku vrasjet, seksi dhe sharjet janë shumë vulgare.

Etniciteti i personazhit kryesor ka zgjuar shumë debate në blogo-sferë dhe në forumet e internetit. Dikush thotë se ai është serb, kurse disa të tjerë thonë se ai është kroat. Por një gjë është e sigurt, ai është një karakter me plot stereotipa ballkanikë, shikuar nga këndi i kulturës perëndimore, dhe video-loja në të vërtetë ka shumë gabime faktike.

Tregimi është krijuar nga kompania "Rockstar" dhe tregimi është shkruar nga bashkë-themeluesi i kësaj kompanie, Dan Houser. Kjo kompani e ka bazën në Edinburgh të Skocisë.

Kjo lojë luhet në konzolat Xbox 360 dhe PlayStation 3, dhe është hera e parë që ofron mundësinë që të luhet edhe me shumë lojtarë nëpërmjet internetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›