Lefter Koka takim me Ramën për ministrinë e Transporteve
Një prej emrave të përfolur si ministër në qeverinë e ardhshme të Edi Ramës, Lefter Koka, është takuar paraditen e djeshme me kryetarin e Partisë Socialiste. Pas takimit nga ana e Partisë Socialiste nuk ka pasur asnjë njoftim. Kurse vetë Koka gjatë një prononcimi për shtyp, Koka është shprehur se ka zhvilluar një takim miqësor me Ramën, duke qenë se ka një njohje të hershme me të.
Deklarata
Në një prononcim për mediat pas takimit, Koka u shpreh se me Ramën nuk ka folur për postet ministrore por për situatën paszgjedhore në vend. I pyetur nga mediat nëse do të ishte i gatshëm të linte mandatin e deputetit për një post ministror Koka theksoi se do të prononcohet për këtë pasi ta diskutojë me strukturat e LSI-së. Ka qenë thjesht një takim miqësor, me Ramën kam njohje të hershme, kemi qenë që në 2003 ish kryetar të bashkish, të qytetit të Durrësit dhe Tiranës. Shkëmbyen disa mendime për ecurinë e zgjedhjeve që sapo kanë përfunduar. Me sa jam njohur unë grupi i punës po punon për ndërtimin e strukturës së re qeverisëse. Besoj se këto do të jenë diskutime të mëpasshme. Do ta diskutoj tek LSI-ja dhe do t`ju jap përgjigje në ditët në vijim, u shpreh Koka.
Takimi
Pavarësisht deklaratave zyrtare të Kokës, burime nga të dyja partitë kryesore të mazhorancës, PS-LSI, thonë që takimi ka qenë për qeverinë e re. Takimi mes Kokës dhe Ramës, erdhi vetëm një ditë pasi ky i fundit zhvilloi një takim me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Koka dëshiron të bëhet ministër i Transporteve, dhe pikërisht për këtë arsye Edi Rama nën petkun e kryeministrit të ardhshëm i ka kërkuar atij një platformë sa më konkrete dhe moderne për këtë ministri. Megjithatë Edi Rama ende nuk i ka dhënë një përgjigje përfundimtare Kokës nëse ai do ta aprovojë emrin e tij si ministër i Transporteve, pasi vetë selia rozë kërkon të administrojë këtë ministri të madhe. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që kjo ministri të ndahet në dy pjesë.