PS: Shqiptarët nuk meritojnë tranzicion të përgjakur pushteti
Rastet e rënda të dhunës në Shqipëri kanë bërë që mazhoranca e re qeverisëse ti tërheqë vëmendjen uniformave blu. Në emër të selisë rozë, deputeti Saimir Tahiri i bëri dje thirrje policisë së Shtetit të garantojë sigurinë publike sepse qytetarët shqiptarë nuk meritojnë tranzicion të përgjakur pushteti.
Deklarata
Vendi po përjeton një përshkallëzim kriminal të përmasave alarmante, të paparë e dëgjuar ndonjëherë më parë. Nga dhuna dhe vrasjet në familje, te larja e hesapeve mafioze e deri të rishfaqja e maskave dhe grabitjeve në rrugë, Shqipëria është zhytur nën thundrën e kriminalitetit, tha Tahiri në një deklaratë për shtyp. Sipas deputetit socialiste bëhet fjalë për krime të paralajmëruara, të denoncuara ose krime aq evidente e të hapura, sa Policia e Shtetit duhet ti kishte ditur dhe ti kishte parandaluar përpara se të vinin pasojat fatale. Megjithëse ka një Kryeministër e një Qeveri në detyrë, shteti është lënë si mall pa zot, qytetarët janë braktisur në mëshirë të fatit ndërsa Policia është kthyer në agjenci mortore që numëron viktimat. Ne jemi të bindur se qytetarët meritojnë një tranzicinon paqësor të pushtetit, jo tranzicion të përgjakur të pushtetit, me anarki, vetëgjyqësi, armë të përhapura në masë njëlloj si në vitin 97, e po kështu me vrasje, plagosje, grabitje, banda, dhe larje hesapesh, tha Tahiri. I bëjmë sot thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit: Ngrihuni në këmbë e bëni detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë!- , tha Tahiri – Tregoni se shteti është në këmbë pavarësisht se bien qeveritë! Tregoni se vetë Policia e Shtetit është në këmbë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.
Kapitulli i ri
Tahiri tha se pas shtatorit, do fillojë një kapitull i ri, edhe për Policinë e Shtetit. Por deri atëherë, mos braktisni ushtrimin e detyrës duke lënë qytetarët në mëshirë të krimit. Jepini qytetarëve shqiptar atë që meritojnë, qetësinë publike për të jetuar të lirë nga kërcënimi i krimit. Pas shtatorit, të gjithë bashkë, do rilindim shpirtin, misionin dhe fuqinë e shtetit ligjor, duke rilindur skuadrën e policisë së shtetit.
Topalli: Ti themi mjaft dhunës ndaj grave!
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka bërë thirrje për sensibilizim kundër dhunës ndaj gruas duke marrë shkas nga vrasjet e tri grave të ditët e fundit. Në tri ditë, 3 nëna, 3 gra u vranë barbarisht. Kjo është një çmenduri, një tmerr. Alketa Cani, Valbona Çarçani, Valbona Lleshi nuk janë më. Fëmijët e tyre jetojnë ferrin! Ato ishin nënat, të bukurat, të mrekullueshmet, shkruan Topalli në rrjetin social Facebook”